Çfarë do të ishte më efikase për të ndihmuar gratë kryefamiljare dhe ato në nevojë?
Prej fillimit të qeverisjes Rama 1 duket se pati një vëmendje edhe në drejtim të mbështetjes financiare për gratë kryefamiljare duke qenë edhe një premtim politik dhe pjesë e programit qeverisës. Sipas këtij vendimi politik duket se u orientua edhe politika buxhetore me synim fuqizimin ekonomik të grave kryefamiljare duke u dhënë mundësi përdorimin direkt të fondeve që shpërndahen nga ndihma ekonomike, ku ndryshimi nga përpara është parandalimi i përdorimit të këtyre fondeve nga persona të tjerë.
E gjithë qasja vijoi edhe në dy mandatet e tjerë qeverisës dhe kjo nismë politike mbulon deri në 8 mijë familje me gra kryefamiljare me tre apo më shumë fëmijë.
Natyrshëm, që pjesa e mbulimit buxhetor arrin deri në 10 mijë lekë në muaj dhe në rastet e familjeve pa të ardhura të tjera apo me të ardhura të ulta arrin të mbulojë nevojat më pak se minimumi jetik apo pragut të varfërisë.
Në përgjigje të pyetjes tuaj e gjitha lidhet së pari me fuqizimin e mbështetjes financiare të skemës së mbështetjes, e cila duket sikur e ka adresuar problemin ekonomik dhe pavarësinë financiare, por vetë pagesa më poshtë se niveli i varfërisë tregon se skema është funksionalisht mjaft e dobët. Adresimi real dhe i sinqertë pa përfshirë përdorimin politik do të ishte pagesa e nivelit të shpenzimeve për një jetesë që të paktën të jetë mbi minimumin jetik, apo të afërt me pagën minimale deri në 80% të nivelit aktual të saj.
Së dyti do të kishte një qasje mbështetëse drejt shterimit edhe orientimi i grave kryefamiljare drejt një pune kuptimplotë për to, që i lidh gratë me një qëllim më të lartë dhe që është në përputhje me pikat e forta dhe vlerat e tyre. Gratë duan mundësi jo për të mbijetuar dhe për mëshirë, por një mundësi ku ato të kenë ndikim dhe të bëjnë ndryshim.
Së treti, ajo që vlen për gjithë tregun e punës vlen edhe për gratë familjare, të cilat duhet të krijohen kushte që vijnë nga bashkëpunimi dhe përkushtimi midis qeverisë dhe sektorit privat për të mundësuar zgjedhjen e një orari pune fleksibël dhe që të ketë më shumë mundësi për të punuar nga shtëpia, aty ku proceset e punës mund të ndërthuren me këtë qasje.
Zgjidhjet mund të arrihen nga një mendësi ndryshe nga kjo që prezantohet deri më sot nga tregu dhe institucionet publike. Pas një analizimi dhe azhornimi të detajuar të tregut të punës, kërkesës dhe ofertës së tij, qeveria së bashku me gjithë nivelet e bizneseve (të vetëpunësuar, biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha) duhet formatimi i paketave të plota mbështetëse dhe zhvilluese, të cilat duhet të arrijnë të përmbushin objektiva si më poshtë:
- të dijë të prezantojë një paketë që të nxitë profesionalizimin nëpërmjet programeve të subvencionimit dhe trajnimit,
- të nxitë stimujt fiskalë dhe ekonomikë për bizneset që të pranojnë politikat që janë si objektiva për tu realizuar
- të aktivizojë fonde sociale për trajtimin e fëmijëve dhe pjesatarëve të trjerë të familjes për të liruar gratë nga ngarkesat e shumëfishta në kohë dhe para
- të krijojë një ambjent infromimi dhe edukimi të pandërprerë për sensibilizimin e tregut, por edhe të vetë individëve
në mënyrë që të dilet nga situata e ndihmës ekonomike që orienton një frymë mëshirimi dhe të vijojë me politika zhvillimi dhe fuqizimi (sipas shëndetit dhe moshës) të grave kryefamiljare.
Ky model lehtëson buxhetin nga ndihma sociale që janë gjysmake dhe nga ana tjetër mobilizon burime për tregun e punës, që sot më shumë se kurrë ka nevojë edhe për forca të shtuara.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.