Buxheti nuk duhet ta ndryshojë shënjestrën
Ndërsa vendet lëvizin drejt rimëkëmbjes për vitin 2021, ndërtimi i institucioneve të forta dhe ngritja e kapaciteteve do të mbeten thelbësore edhe me tej për Shqipërinë. Pavarësisht se vitet ikin tutje, proceset e forcimit të shtetit ende janë ato sfida që mbarten vit pas viti për të ngarkuar performancën edhe me këtë problem të madh për vendin tonë.
Ekspertët folën, shkruan, komunikuan, por buxheti vazhdoi kalendarin e zgjedhur nga qeveria. Buxheti i vitit 2021, i cili ka hyrë në fazën e finalizimit të tij dhe kalimit për miratim në fillim të dhjetorit është konsideruar nga hartuesit dhe aprovuesit e tij, si një plotësues i një pjese të madhe të synimeve të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike duke mos e tepruar me rritjen e borxhit publik.
Pra, fokusi do të zhvendoset në politikat që janë të nevojshme për të mbështetur rritjen ekonomike të programuar, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik. Kriza e cila duket se i mbyll hesapet me Shqipërinë deri në fund të këtij viti apo tremujorin e parë 2021 nuk është e sqaruar ende se si dhe në ç’mënyrë do të largohet . Gjithsesi, buxheti 2021 ofron një mundësi për të ecur përpara më mirë duke trajtuar sfida ndër-sektoriale siç janë stimulimi më i mirë i sektorit shëndetësisë publike, si dhe edukimit nëpërmjet rritjes së vlerës së punës (pagave) të punonjësve publikë të këtyre sektorëve.
Pesha e shpenzimeve për shëndetësinë në Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitin 2021 llogaritet të jetë jo më shumë se 2.4% e tij. Nëse përfshijmë edhe përkrahjen sociale dhe ish të përndjekurit politikë, që janë pjesë e Ministrisë, atëherë kjo peshë arrin në 3.9% të PBB-së.
Nëse krahasojmë buxhetin aktual në versionin më të fundit (Korrik 2020) me buxhetin që do të miratohet për vitn 2021 vërehet një rritje me 3.6% në total për vitin 2021. Shpenzimet për pagat, si dhe shpenzime të tjera për furnizime të nevojshme do të rriten me 2.8% në vitin 2021, ndërsa shpenzimet për ndërtim spitalesh, ristrukturime dhe ambjente e paisje të tjera mjekësore do të rriten me 19.8%. Pakësimin më të madh e mbajnë shpenzimet operative me një rënie prej 763 milionë lekë krahasuar me vitin 2020.
Pesha e shpenzimeve për arsimin (pa sportin dhe rinine) në Prodhimin e Brendshëm Bruto për vitin 2021 llogaritet të jetë jo më shumë se 2.4% e tij. Nëse përfshijmë edhe sportin dhe rinine që është pjesë e Ministrisë, atëherë kjo peshë arrin në 2.5% të PBB-së.
Nëse krahasojmë buxhetin aktual në versionin më të fundit (Korrik 2020) me buxhetin që do të miratohet për vitin 2021 vërehet një rritje me 1.6% në total për vitin 2021. Shpenzimet për pagat, si dhe shpenzime të tjera për furnizime të nevojshme do të ulen me 1.1% në vitin 2021, ndërsa shpenzimet për ndërtim shkollash, ristrukturime dhe ambjente e paisje të tjera do të rriten me 37.2%[1].
Kriza pa diskutim ka prezantuar kërkesa të mëdha për burimet fiskale, të cilat për fatin e keq tonin ishin me pakicë edhe për vitin 2020. Reflektimi kryesor është përballja me rritjen e shpejtë të niveleve të borxhit dhe rënien e hapësirës fiskale.
Gjithë çfarë u programua, punua, menaxhua dhe u garantua në këto vite të fundit, si një ecje përpara tashmë është kthyer përmbys dhe në fillim të vitit që hyjmë jemi më keq se disa vite më parë, si në drejtim të politikës së kufizuar për shpenzime publike, por edhe për hyrjen e të ardhurave fiskale. Përtej asaj që programohet tani dhe do të ndryshohet në pranverë apo mesviti, ne taksapaguesit do të dëgjojmë përsëri për të njëjtat justifikime që janë përsëritur edhe më parë. Pra, buxheti edhe pse prezanton se do të bëjë shumë gjëra, të paktën do të ndikojë në rritjen e pagave të dy sektorëve më të ndjeshëm dhe të prekur për kohën: shëndetësia dhe edukimi.
Gjenerimi i rritjes më të fortë, më elastike dhe gjithëpërfshirëse kërkon që ne duhet të kishim investuar me kohë dhe në gjithë këto vite për të to, për të ardhmen. Kjo do të thotë të investohej te njerëzit, përpara se e keqja dhe alarmi të fillonte të binte, pasi ndërkohë është një kohë e humbur që nuk ka justifikim me çfarë do të bëhet në të ardhmen. Investimi që duhej bërë në njerëz do të ndikonte në një forcim të sistemit shëndetësor dhe sistemit të mbrojtjes sociale pa e lënë situatën që të ketë nevojë të justifikohet me ndodhinë e një fatkeqësie.
Por, që të krijohej kjo hapësirë fiskale tashmë duhet të ishim në kohë që lufta ndaj informalitetit të kishte dhënë efektet e saj duke u përkthyer në më shumë lekë për buxhetin, por edhe në më shumë hapësirë tregu formal dhe më të konsoliduar për të shërbyer për një rritje ekonomike të qëndrueshme dhe jo të prekshme nga çdo fatkeqësi e radhës.
Investimet më kryesore, përtej nevojave për infrastrukturë dhe dixhitalizim janë ato që bëhen vit pas viti duke rritur kapitalin njerëzor dhe rritjen e mundësive ekonomike për të zgjeruar dimensionet e tregut dhe konkurueshmërinë nëpërmjet diversifikimit të ekonomisë. Dhe kjo e fundit veçanërisht kërkon investime në arsim dhe trajnime, në studime dhe kërkime, ndërsa shohim përpara për përparime në teknologji dhe kuptimin se çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e punësimit.
Institucionet e forta ekonomike dhe njohuritë teknike janë thelbësore për hartimin dhe zbatimin e politikave të tilla. Për shembull, për të trajtuar problemet e borxhit dhe për të rindërtuar hapësirën fiskale nevojitet modernizimi i kapaciteteve njerëzore në sistemet dhe administratat e taksave, si dhe duke përforcuar kapacitetet lidhur me efikasitetin e shpenzimeve.
Në një diskutim të tillë, padyshim që nevojitet që të dialogohet për ti dëgjuar me përfaqësuesit e shoqërisë civile, organizatat e biznesit, organizatat e punonjësve dhe shumë rrjete të tjera formale për një koordinim të kërkesave të tyre me mundësitë dhe nevojat për një buxhet të harmonizuar mirë. Por, me ta flitet thjesht për procedurë dhe jo duke i parë si partnerë të qeverisjes.
Në këtë fund të dekadës së tretë me ekonomi tregu, paraqitet ende një buxhet optimist, në një kohë kur paqartësitë për ecurinë e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin që jemi kanë mjaft dilema dhe mungesë sqarimesh teknike, si p.sh. për arsyet e uljes së programit të të ardhurave dhe shpenzimeve, me arsyetimin e limitimit të deficitit buxhetor dhe një autokritike nëpër dhëmbë për performancën jo të pritshme të menaxhimit.
Kjo temë nuk duhet lënë pa një transparencë analitike dhe llogaridhënie publike të modelit të qeverisjes së buxhetit përtej arsyeve të tërmetit dhe pandemisë.
Çfarë u bë më mirë se në një vit pa pandemi dhe tërmet dhe çfarë u bë njësoj apo më keq?
A janë bërë gabime në menaxhimin e të ardhurave dhe efikasitetin e shpenzimeve?
A ka nevojë për një qartësim të analizës së premtimeve në krahasim me buxhetin që filloi viti 2020, si dhe sa ndikoi realisht situata e krizës në parashikimet e tij?
Të gjitha këto pyetje që kanë nevojë për analizë dhe raportim të sinqertë duhen parë në optikën e mospërsëritjes së të njëjtave qasje duke patur në rastin më të keq justifikime jo të argumentuara në fakte dhe logjikën e ligjit, si dhe në rastin më të mirë duke treguar rritje aty ku në fakt ka së paku një situatë ngecje.
Ekonomia shqiptare, e cila u vu në provë pothuajse në pjesën më të madhe të këtij viti reagoi në mënyrë kaotike dhe zbuloi dobësi strukturore dhe çorganizimi të zinxhirit të qarkullimit të saj.
Qasja e pritshmërisë, që të presim të kalojë pandemia dhe më tej të zgjidhet ngecja e ekonomisë është e nevojshme të sqarohet se sa është analizuar një skenar tjetër për përgatitjen e ekonomisë për të mos ngecur përsëri.
Ndërkohë, që menaxhimi i të ardhurave duket se nuk arrin dot të kuantifikojë në të ardhura fiskale (dhe të na informojë ne taksapaguesit) rrjedhën e parasëe ndryshuar nga pandemia, si dhe qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve me ecuri më të mirë se të tjerët, për të përcaktuar me një shënjestrim të qartë se ku do ta zhvendosë barrën gjatë kësaj periudhe.
Mbetet që punën e agjentit tatimor ta bëjnë njerëzit e thjeshtë me pagesat e tyre të përditshme për shërbime dhe mallra në sektorë që janë të përjashtuar nga TVSH, por që të paktën ndikojnë në vlerën e shtuar të tyre.
Buxheti nuk arrin dot të mbajë në asnjë vit fjalën që na jep në fillim të vitit, por të paktën në këtë dekadë të fundit na thotë vetëm një gjë: na falni po do ta ulim pak shënjestrën se e kishim kolauduar keq.
[1] duke qenë se vlerat e investimeve janë të vogla (sa 10.5% e shpenzimeve gjithsej per vitin 2021), ato nuk ndikojnë te rritja e peshës së shpenzimeve për gjithë sektorin e edukimit publik.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.