Bonot e thesarit, avantazhet dhe rrisqet e tyre në 2022

Bonot e thesarit, avantazhet dhe rrisqet e tyre në 2022

Obligacionet qeveritare[1], ashtu si dhe Bonot e Thesarit[2] ndihmojnë në financimin e deficiteve në buxhetin dhe përdoren për të mbledhur kapital për projekte të ndryshme si shpenzimet e infrastrukturës, projekte investime publike, si dhe financimin e deficitit buxhetor.

Por, bonot e thesarit dhe obligacionet qeveritare përdoren gjithashtu nga Banka Qendrore për të kontrolluar ofertën e parasë së vendit. Kur Banka Qendrore riblen obligacionet e qeverisë, oferta e parasë rritet në të gjithë ekonominë pasi shitësit marrin fonde për të shpenzuar ose investuar në treg. Çdo fond i depozituar nga individët (kryesisht ata) në banka, nga ana tjetër përdoret nga këto institucione financiare për t’u dhënë hua kompanive dhe individëve, duke nxitur më tej aktivitetin ekonomik.

Obligacionet, duke përfshirë bonot e thesarit mund të jenë një investim i mirë për ata që kërkojnë një normë të qëndrueshme të pagesave të interesit. Megjithëse obligacionet dhe bonot e thesarit janë të njohura, ato kanë disa disavantazhe dhe rreziqe që lidhen me to dhe mund të mos jenë ideale për çdo individ.

Nga praktika shqiptare, por edhe nga vendet përreth, rezulton se individët që janë më afër pensionit, ose tashmë kanë dalë në pension, priren të kenë një përqindje më të madhe të depozitave të tyre në obligacione dhe bono thesari, ndërsa të rinjtë mund të kenë një përqindje më të vogël.

Edhe pse ne Shqipëri nuk ka ende treg për bonot/obligacionet e korporatave, si dhe bono/obligacione të bashkive, përgjithësisht deri më sot bonot korporative apo edhe obligacionet e korporatave në vendet ku ato aplikohen priren të paguajnë një normë më të lartë se bonot/ obligacionet e thesarit, pasi bonot/ obligacionet e korporatave kanë edhe rrisqe të mospagimit, ndërsa bonot/ obligacionet e thesarit janë të garantuara nëse mbahen deri në maturim.

A janë bonot/ obligacionet e çdo tipi[3] investime të mira?

Individët duhet të peshojnë tolerancën e tyre ndaj rriskut të mospagimit të një obligacioni, fitimet e krijuara dhe të realizuara nga fondet e depozituara gjatë një periudhe të caktuar kohore[4] dhe sa kohë do të jenë të lidhura paratë e tyre me këtë investim që bëjnë në këto bono/obligacione.

Në rastin e tregut shqiptar të bonove, ku nuk ka ofertë tjetër në treg përveç bonove të Thesarit apo Obligacioneve qeveritare[5] pjesëmarrja e individëve duhet bërë e qartë nga lëshuesi i tyre edhe rrisqet, krahas avantazheve që ato mbartin në momentin e emetimit të tyre.

Më poshtë janë paraqitur në formë të përmbledhur avantazhet dhe rrisqet, ku krahas avantazheve që tashmë janë të përfitueshme në tregun financiar është përfshirë edhe një avantazh, i cili është në formën e kujtesës për qeverinë shqiptare (lidhur me përfshirjen e lehtësive fiskale për investimet në bonot apo obligacionet e thesarit)

 

Avantazhet e bonove thesarit /obligacioneve Rrisqet e bonove thesarit /obligacioneve
Kthim të qëndrueshëm të të ardhurave nga interesi

Rrezik i ulët/ pa rrisk për mospagimin

Përjashtim nga taksat shtetërore dhe vendore (jo ne Shqipëri)

Një investim që siguron diversifikim të portofolit të  fondeve të zotëruara

Shitje të bonove përpara maturimit të tyre

Ofron norma të ulëta kthimit të investimit

Të ardhurat fikse mundet të jenë të ulta në rast rritje të inflacionit

Mbart rrisk kur normat e interesit të tregut rriten

Çmime shitje më të ulta se ato të blerjes në rastet e shitjeve nisur nga nevoja urgjente për para

 

Në sqarim të rrisqeve, si pas tabelës interesi i paguar nga obligacionet apo bonot e thesarit përfaqëson kthimet që mund të gjenerohen nga investimi në aksione. Megjithatë, norma e fituar nga obligacionet apo bonot e thesarit duhet të tejkalojë inflacionin ose ritmin e rritjes së çmimeve, i cili tenton të lëvizë aktualisht përtej niveli 8 – 10%.

Bonot e thesarit, sipas periudhës inflacioniste që po kalojmë mund të jenë më të pranueshme për një kthim të qëndrueshëm të parave të investuara mund të ndihmojë në uljen e paqëndrueshmërisë ose luhatjeve në investimet në fusha apo instrumentet të tjera (llogari kursimi, kriptomonedha, etj.). Përdorimi i bonove të thesarit për të ndihmuar në kompensimin pjesërisht të rrezikut të humbjes nga investimet e tjera ndihmon në arritjen e diversifikimit të parave/aseteve të investuara që do të thotë se jo të gjitha paratë tuaja janë në një lloj investimi dhe që mund ti nënshtrohen të njëjtit rrisk. Gjithashtu, bonot e thesarit mbështeten nga besimi dhe kredia e plotë e qeverisë, që do të thotë se investitorët nuk do të humbasin investimin e tyre fillestar.

Megjithatë, duke qenë se investitorët në moshë të re mund të kenë një informacion dhe kulturë më të madhe se ata në moshë të vjetër, të rinjtë zakonisht zgjedhin investime që ofrojnë rritje afashkurtra/afatmesme dhe me norma të larta (kriptomonedha, bono korporative jashtë vendit, fonde investimi, etj) në mbi 70% të fondit gjithsej të investimeve në vend të bonove të thesarit (jo më shumë se 30% të fondit gjithsej të investimeve). Si rezultat, bonot e thesarit apo edhe obligacionet mund të priren të përfaqësojnë një pjesë të vogël të portofolit të investimeve të një të riu.

Në mbyllje të qartësimit, një investim në bono thesari apo obligacione mund të emrtohet si i mirë apo i keq, kjo varet nga qëllimi i investitorit dhe kushtet e tregut. Nëse një investitor do një rrjedhë të qëndrueshme të të ardhurave, atëherë një obligacion mund të jetë një zgjedhje e mirë. Megjithatë, kur normat e interesit rriten, blerja e një obligacioni mund të mos jetë një zgjedhje e mirë pasi norma fikse e interesit mund të jetë nën performancën e tregut në të ardhmen[6].

Në vitin 2022:

  • normat e interesit të pagueshme për bonot e thesarit janë rritur nga 2.78% për bonot me afat 3-mujor deri në 5.74% për bonot me afat maturimi 12 mujor.
  • Normat e interesit të pagueshme për obligacionet janë rritur nga 4.9% për obligacionet me afat 2-vjeçar, 6.15% për obligacionet me afat maturimi 3- vjeçar e deri në 8.39% për obligacionet me afat maturimi 15-vjeçar.

Nëse investitorët besojnë se normat e interesit do të vazhdojnë të rriten në dy vitet e ardhshme, ata mund të zgjedhin të investojnë në obligacione me maturim afatshkurtër nëse janë të interesuar për yield-e më të larta. Përndryshe, për shkak të marrëdhënies kontradiktore midis normave të interesit dhe përqindjeve të obligacioneve, vlera fikse e tyre do të bien nëse Banka e Shqipërisë do të vazhdojë të rrisë normat e interesit.

Gjithashtu, investimi në obligacione dhe shitja e tyre në tregun sekondar para maturimit të tyre mund të çojë në një humbje të ngjashme me investimet e tjera, njësoj si  shitja e aksioneve në një kompani në momente nevoje për para. Si rezultat, investitorët duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun që mund të humbasin para duke blerë dhe shitur obligacione përpara maturimit të tyre. Nëse një investitor i duhen paratë në vitin e parë ose dy vitet e ardhshme, një obligacion me datën e maturimit më të gjatë, mund të mos konsiderohet një investim i mirë.

Fondet e investimeve, apo fondet e pensioneve private mund të jenë një investim i mirë pasi fondet zakonisht përmbajnë shumë mundësi investimi me paratë që depozitojnë, gjë që diversifikon rrezikun e mospagimit të parave të investuara. Megjithatë, investitorët duhet të bëjnë kërkimet e tyre për të siguruar që investimet brenda fondit janë lloji i bonove, që dëshironi të blini.

[1] Instrument borxhi 2, 3, 5, 6, 7, 10 dhe 15 vjeçar, i cili emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë
[2] Instrument borxhi 3, 6 dhe 9 mujor, i cili emetohet dhe garantohet nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë
[3] Qeveritare, bashkiake, korporative
[4] (Ang. Yield)
[5] https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/11/Prezantim-per-investoret-indiviudale-Final.pdf
[6] kur blini një obligacion thesari, norma fikse e interesit për atë obligacion nuk ndryshon kurrë, pavarësisht se ku tregtohen normat e interesit të tregut

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: