Blerja e bonove të thesarit investim i sigurtë

Blerja e bonove të thesarit investim i sigurtë

Bonot e Thesarit te qeverisë shqiptare janë një instrument i negociueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohen dhe garantohen nga qeveria.

Ato emetohen në lek dhe kanë afate maturimi 3, 6 dhe 12-mujore. Bonot e thesarit nxirren për shitje nga qeveria nëpërmjet ankandit, ku investitorët duhet të konkurrojnë për blerjen e këtij instrumenti. Konkurrenca realizohet nëpërmjet vendosjes së normës së interesit që quhet “yield” i bonove të thesarit. Yield-i i bonove të thesarit është bazë për llogaritjen e çmimit të blerjes së bonos të thesarit. Interesi i përfituar nga investimi në bono thesari llogaritet si diferencë e çmimit të blerjes së bonos me vlerën nominale të saj.

Raporti i kësaj diference me çmimin e blerjes i llogaritur në bazë vjetore shpreh normën e kthimit të përfituar nga investimi. Bonot e Thesarit janë të tregtueshme, pasi mund të shiten/blihen para afatit të maturimit. Tregtimi i një bonoje thesari mund të bëhet deri në 7 ditë para maturimit. Tregtimi mund të bëhet me subjektet e licencuara nga Autoriteti i mbikëqyrjes Financiare, ku bëjnë pjesë edhe bankat tregtare. Në datën e maturimit të bonos së thesarit, aplikohet tatimi mbi interesin e përfituar nga investimi.

Çdo individ rezident ose jo, biznes, institucione financiare e jofinanciare, mundet të blejnë në bono thesari. Bonot e thesarit janë një mundësi investimi i kapitaleve dhe kursimeve ne monedhën vendase apo te huaj.

Përpara marrjes se një vendimi për blerje te bonove te thesarit, individi apo biznesi duhet të krahasojë interesin e depozitave bankare me interesin e bonove të thesarit dhe të vendosë se ku do t’i investojë paratë e tij duke marre parasysh elementin e sigurisë se parasë se investuar.

Individët që vendosin te marrin pjesë në ankandet për blerjen e Bonove të Thesarit nëpërmjet bankave tregtare të licencuara për tregtimin e letrave me vlerë nga AMF, si dhe nëpërmjet sporteleve të BSH-së në Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Lushnjë dhe Gjirokastër duhet te kryejnë disa veprime paraprake, te cilat shihen te faqja e internetit te BSH.

Rrezikshmëria e investimit në bonot e thesarit është aq e vogël, sa përgjithësisht ato shihen si rrezik zero. Rreziku më real për investitorët në Shqipëri vjen nga ulja e vlerës reale të fitimit, nga rritja e inflacionit ose rënia e vlerës së lekut kundrejt valutave të huaja.

Por stabiliteti makroekonomik i ekonomisë shqiptare bën të mundur që investimi në tregjet financiare shqiptare të ofrojë një rritje reale të të ardhurave, pasi inflacioni vazhdon të mbahet nën kontroll, ndërsa vlera e lekut nuk është e rrezikuar.

Bonot e thesarit janë instrument borxhi nëpërmjet të cilave qeveritë marrin hua, mjete të lira monetare (para) nga publiku. Si çdo huamarrje kuptohet që edhe kjo formë krijon një raport dypalësh. Qeveria nga njëra anë dhe publiku nga ana tjetër. Në çdo raport secili nga palët realizon interesat e veta.

Qeveria siguron fonde (krijon borxh) me të cilat kryen një pjesë të shpenzimeve të nevojshme dhe huadhënësit të cilët për huanë që japin marrin një interes të caktuar. Blerësit më të mëdhenj të bonove të thesarit në Shqipëri janë bankat e nivelit të dytë, ndër të cilat veçohet Banka e Kursimeve.

Po ashtu blerëse është edhe Banka e Shqipërisë, e cila nuk tejkalon masën e portofolit të krijuar. NË vitet e fundit tendenca ka qenë edhe për ta ulur këtë masë.

Për të marrë pjesë në ankandin e bonove të thesarit duhet që të zotërohet një vërtetim nga banka apo edhe institucione të tjera të lejuara me ligj, ku të shprehet se subjekti ka bllokuar një shumë të caktuar fondesh për blerje të bonove të thesarit. Me këtë vërtetim subjekti mund të paraqitet pranë sporteleve të bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri ose pranë sporteleve të bankës së Shqipërisë për të marrë pjesë në ankandet e bonove të thesarit.

Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të informacionit në faqet respektive të internetit. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e emetimit të bonove të thesarit me kërkesa konkurruese ose jokonkurruese.

Pjesëmarrja me kërkesë konkurruese nënkupton vendosjen e një interesi (yield-i) mbi bazën e të cilit do të llogaritet çmimi që investitori preferon të paguajë për blerjen e bonos së thesarit. Pjesëmarrja me kërkesë jokonkurruese nënkupton pranimin e yield-it mesatar të ponderuar, i cili do të llogaritet si mesatare e ponderuar e yield-eve të kërkesave konkurruese të shpallura fituese.

NË ankand, kërkesat konkurruese renditen nga yield-i më i ulët i kërkuar deri tek yield-i më i lartë deri sa shuma e shpallur nga qeveria për emetimin e bonove, të plotësohet. Kjo do të thotë që në rast se kërkesa e pjesëmarrësve për blerjen e bonove është më e lartë se shuma e emetuar nga qeveria, kërkesat konkurruese me yield-in më të lartë, nuk do të pranohen nga qeveria dhe për rrjedhojë investitorët nuk do të mund të blejnë bono thesari në ankandin përkatës.

Shuma e shpallur për emetimin e bonove të thesarit nga qeveria pas plotësimit të pjesëmarrjes së BSH-së, ka një ndarje të barabartë ku jo më shumë se 50 për qind emetohet për kërkesat jokonkurruese dhe pjesa e mbetur për kërkesat konkurruese.

Procesi i shitjes së bonove të thesarit është i hapur dhe publiku mund te informohet për datën e zhvillimit të ankandeve, shumat për të cilat ka nevojë qeveria, periudhat e maturimeve të bonove të thesarit dhe informacione te tjera duke klikuar në faqen e internetit të bankës së Shqipërisë, www.bankofalbania.org apo edhe ne faqet e bankave tregtare qe operojnë ne Shqipëri.

Rezultatet për ankandin e bonove të thesarit shpallen në të njëjtën ditë të organizimit të tij dhe publikohen në faqen e internetit të BSH-së. Për fituesit në ankand jepet dokumenti vërtetim për shpalljen fitues, i cili përmban informacionin përkatës për rezultatin e investimit në bonon e thesarit.

Interesi i fituar nga bonot e thesarit është subjekt i mbajtjes së tatimit. Për personat rezidentë dhe ata jorezidentë tatimi i aplikuar është 15%.

Shpërndaje këtë postim

Leave a Reply


error: