Barra tatimore dhe rishpërndarja e të ardhurave
Barra tatimore ka patur ndryshime në dy vitet e fundit, përsa i përket rishpërndarjes së saj në Shqipëri. Ndërsa, barra tatimore për vitin e kaluar ka qenë në tiranë në nivelin mbi 38% të PBB-së, në vitin 2015 kjo situatë ka rënë nën nivelin 30% duke ulur diferencën midis Tiranës dhe zonave të tjera të vendit.
Niveli i barrës tatimore për shumicën e qarqeve më të mëdha në kufirin midis 25 % deri 27 % është një realitet që tregon zhvillimin e konsumit dhe investimeve, pikërisht në këto zona ku është rritur edhe prezenca e kapitalit dhe fuqisë punëtore.
Me Prodhimin e brendshëm që arrin Shqipëria, apo Kosova, ato hyjnë te vendet nga fundi në Ballkan me peshën 3-4% që zënë në PBB-ne e Ballkanit. Por edhe pse barra tatimore në Shqipëri apo Kosovë është nga më të ulëtat e rajonit të Ballkanit, vërehet një rritje e nivelit të saj nga viti në vit duke kërkuar të arrijnë nivele të afruara të barrës me vendet e avancuara në rajon dhe me barrën tatimore te BE që ruan një raport sa 40% e PBB.
Ky fakt shpjegohet, si prej rritjes së disa shkallëve tatimore, po ashtu edhe me rritjen e performancës së administrimit fiskal.
Ky fakt duket te Indeksi i ditës së lirisë Fiskale, që në Shqipëri në vitin 2016 nuk vjen më herët se në çdo shtet tjetër ballkanik, ashtu si ka rezultuar në vitet e kaluara.
Nëse shikohen Investimet e Huaja Direkte Neto, Shqipëria është në vend të dytë në Ballkan për peshën e tyre në raport me PBB-në për vitin 2015 duke treguar se efekti i barrës tatimore dhe shkallëve të ulëta nuk është ndikuesi primar në tërheqjen e investimeve.
Treguesi i IHD neto na tregon se nëse harmonizohen me sukses shkallët tatimore me rritjen e kapaciteteve të administrimit dhe forcimin e kapaciteteve rregullatore dhe uljes së korrupsionit do të rezultojë një efekt me nxitje dhe rritje të flukseve të investimeve të huaja në vend. Ky konkluzion duhet të vlejë për Shqipërinë, Kosovën dhe secilin nga vendet e tjera ballkanike.
Barra tatimore e shpërndarë në rajonet e ndryshme nëse ballafaqohet me burimet dhe kapacitetet në dispozicion dhe nëse ndërthuret në mënyrë më racionale ndikimi i rolit të programeve të qeverisë në shpërndarjen e investimeve dhe përgatitjen e kushteve për investitorët aty ku barra nuk është nxitëse, do të ndihmonte secilën bashki, që të mendonte më thellë mundësitë dhe mënyrat për tu integruar brenda modelit të rritjes ekonomike të vendit.
Rezultatet e analizës së të ardhurave tatimore të mbledhura me ndryshimet e politikës fiskale, përsa preket kapitali dhe investimet, si dhe fuqia punëtore nuk tregojnë se kanë një lidhje me rritjen ekonomike.
Reduktimi i tatimit mbi pagën e punonjësve ka ndikuar në rritjen e numrit të përfshirë në tregun formal të punës duke ndikuar në fuqizimin e skemës së kontributeve, por nuk mund të konsiderohet se punësimi ka lidhje direkte me rritjen e produktivitetit të ekonomisë, pasi cilësia e investimeve dhe forcimi i kapaciteteve kanë ndikimin më të fortë në produktivitetin e ekonomisë.
Politika fiskale duhet të ketë lidhje të forta dhe të funksionojë në nxitjen e zhvillimit strukturor të ekonomisë, duke analizuar pa ndërprerje ndryshimet dhe zhvendosjet e ekonomisë nga njeri sektor te tjetri dhe ndikimet e tregjeve globale, që provuan për vitin 2015 ndikimin e tyre në barrën tatimore nëpërmjet çmimit të ulur të nënprodukteve të naftës, si dhe mineraleve.
Është dhe mbetet thelbësore për politikën dhe administrimin, se barra tatimore duhet të bjerë në vëmendjen e të gjithëve, qoftë në sektorin publik, por edhe në sektorin privat nxitjen që të synohet ndryshimi i përhershëm i status quo ekonomike duke kërkuar një shpërndarje më të barabartë të të ardhurave, ku të gjithë të ndihen kontribuesë dhe më pas përfituesë.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.