Balanca primare, vlerësimi i agjensive të kreditit dhe qëndrueshmëria afatgjatë
Sipas përcaktimit që prezantohet nga OECD[1] për bilancin primar të qeverisë sqarimi më i përshtatshëm është që “Bilanci primar është diferenca midis shumës së të ardhurave që mbledh një qeveri dhe shumës që shpenzon për ofrimin e të mirave dhe shërbimeve publike. Një vend ka një deficit primar nëse shpenzon më shumë për mallra dhe shërbime publike sesa mbledh në taksa. Kjo do të thotë se qeveria duhet të marrë hua para për të paguar për të mirat dhe shërbimet e përditshme publike që ofron për qytetarët, të cilat mund të mos jenë të qëndrueshme. Bilanci primar është kështu një tregues kritik i qëndrueshmërisë afatshkurtër të financave të një qeverie.”
Në harkun kohor 2013 – 2023, balanca primare e buxhetit të shtetit shqiptar ishte pozitive (suficit primar) në të paktën gjysmën e dekadës. Konkretisht, nga viti 2016 – 2018 dhe nga viti 2022 – 2023 bilanci primar i buxhetit të shtetit ishte pozitiv (shih te tabela më poshtë).
Balanca primare | 6m.I 2013 | 6m.I 2014 | 6m.I 2015 | 6m.I 2016 | 6m.I 2017 | 6m.I 2018 | 6m.I 2019 | 6m.I 2020 | 6m.I 2021 | 6m.I 2022 | 6m.I 2023 |
Deficit/ Suficit (m. Lek) | -48.584 | -22.195 | -12.464 | 17.251 | 2.690 | 2.314 | -2.506 | -38.686 | -29.142 | 15.200 | 46.157 |
Bilanci primar prej 2024 është i detyrueshëm, sipas ndryshimit te Ligji Organik i Buxhetit (LOB), ku përcaktohet se për çdo vit pasardhës balanca primare faktike nuk mund të rezultojë negative, pra duhet të jetë ose e balancuar, ose pozitive.
Sipas treguesve fiskalë të përmbledhura në tabelë ka një lidhje të fortë midis raportit për 6 mujorin e parë ndaj realizimit vjetor të të ardhurave dhe shpenzimeve. Në vitet, ku balanca primare është pozitive (2016 -2018 dhe 2022 – 2023) ka një nivel të ardhurash buxhetore afër gjysmës së realizimit vjetor (1-2% më pak) dhe një realizim shpenzimesh me të paktën 5 deri 9% më pak se realizimi vjetor i tyre. Ndërkohë, në vitet kur balanca primare është negative (deficit primar) shihet se:
- Për vitet 2013 – 2015, niveli i realizimit të ardhurave buxhetore është afër gjysmës së realizimit vjetor (2% më pak), por shpenzimet janë ose mbi gjysmën e shpenzimeve vjetore në vitin 2013, ose deri në 5% më pak se realizimi vjetor i shpenzimeve. Në këto vite diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve është e ngushtë me deri 3% më shumë të ardhura. Por, nisur nga fakti se shpenzimet planifikohen me të paktën mbi 3% deficit vjetor, atëherë diferenca e ngushtë ka ndikim në krijimin e deficitit buxhetor, pasi nuk mbulohet dot nga të ardhurat.
- Për vitet 2019 – 2021, niveli i shpenzimit të ardhurave buxhetore është 1 deri 4% më pak. Shpenzimet janë deri në 6% më pak se shpenzimet vjetor. Në këto vite diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve është e ngushtë me deri 2% më shumë të ardhura. Kjo diferencë e ngushtë jep një efekt në krijimin e deficitit buxhetor, ashtu si shprehet në tabelën më lart.
Ecuria Buxhetit | 2013 | 2014 | 2015 | 2016 | 2017 | 2018 | 2019 | 2020 | 2021 | 2022 | 2023 |
Të ardhurat 6m.I/Viti | 48% | 48% | 48% | 49% | 49% | 48% | 49% | 46% | 46% | 49% | 50% |
Shpenzimet 6m.I/Viti | 52% | 45% | 45% | 42% | 45% | 45% | 46% | 44% | 44% | 41% | 41% |
Për të qartësuar dhe identifikuar ndikimin në balancën primare, ne kemi analizuar ndikimin e realizimit të zërave të shpenzimeve të buxhetit.
Nga analiza e shpenzimeve të tjera të buxhetit të shtetit[2], të cilat për 6-mujorin e parë të dekadës së fundit janë realizuar deri te pjesa e programuar (me fare pak përjashtime për transfertat), atëherë shpenzimi që ka ndikuar në rezultatin e balancës primare të buxhetit është identifikuar zëri i shpenzimeve për investime.
Në tabelën më poshtë janë prezantuar vlerat e investimeve publike të realizuara në 6-mujorin e parë të dekadës së fundit në raport me realizimin vjetor të tyre.
% e Realizimit | 6m.I 2013 | 6m.I 2014 | 6m.I 2015 | 6m.I 2016 | 6m.I 2017 | 6m.I 2018 | 6m.I 2019 | 6m.I 2020 | 6m.I 2021 | 6m.I 2022 | 6m.I 2023 |
Investime/Viti | 63% | 33% | 33% | 28% | 39% | 39% | 39% | 33% | 36% | 27% | 26% |
Në shumicën e viteve realizimi i tyre është sa 1/3 e realizimit vjetor. Në dy vitet e fundit (2022-2023) realizimi i investimeve në 6-mujorin e parë është në nivelet sa 26-27% realizimit të investimeve vjetore.
Në një lidhje të realizimit të tyre në vitet e balancës primare pozitive, shihet se:
- Në vitet 2016 -2018, realizimi i investimeve për 6-mujorin e parë është respektivisht sa 28% për vitin 2016 dhe sa 39% për vitet 2017 -2018. Në po të njëjtën tendencë të vlerës është edhe balanca primare pozitive. Ku aty ku investimet publike janë realizuar më pak, rezulton se ka një diferencë më të lartë në vlerë të balancës primare. Ndërsa në dy vitet vijuese, ku investimet janë realizuar me 11% më shumë se viti 2016, balanca primare pozitive është shumë më e vogël.
- Në vitet 2022 – 2023, realizimi i investimeve për 6-mujorin e parë është respektivisht sa 27% për vitin 2022 dhe sa 26% për vitin 2023. Në po të njëjtën tendencë është rritur edhe vlera e balancës primare pozitive.
- Në vitet 2013 -2015, realizimi i investimeve në 6-mujroin e parë 2013 është sa 63% e investimeve vjetore dhe në dy vitet vijuese, realizimi i investimeve është sa 33% e realizimit vjetor të investimeve. Në këto vite, balanca primare është negative, ku ndikim ka edhe realizimi i ulët i të ardhurave për 6-mujorët e parë.
- Në vitet 2019 – 2021, vlejnë të njëjtët argumente që sipas tabelës tregojnë të njëjtat tendenca të vlerave të investimeve, por edhe të të ardhurave të arkëtuara duke ndikuar balancën primare negative.
Në kushtet, kur pesha e investimeve publike ka një ndikim shumë të madh në balancën primare, por sidomos në balancën e përgjithshme të buxhetit të shtetit, shihet se mosrealizimi i programit buxhetor të invest8imeve publike, jep një ndikim pozitiv në ruajtjen e nivelit të ulët të deficitit buxhetor vjetor.
Pra, thënë ndryshe një menaxhim dhe administrim financiar i dobët, në këtë rast është një ndikues që nëpërmjet mbajtjes së nivelit të ulët të deficitit (rast tipik është viti 2023, ku të ardhurat u rritën për arsye objektive dhe subjektive, ndërsa shpenzimet u realizuan më pak se ligji i buxhetit), ndikohet edhe niveli i borxhit publik, i cili këtë vit u ul me një nivel tejet optimist edhe për vetë parashikimet e qeverisë.
Një nivel më i ulët i borxhit publik, bashkë me disa masa më të forta rregullatore, të cilat kanë ndikim në vlerësimin e shëndetit financiar të buxhetit të qeverisë nga agjensitë e vlerësimit të lidhura me kreditimin[3], ndikojnë në një vlerësim për vendin. Por, kjo ka një vlerë të vogël, për sa kohë ky vlerësim nuk thellohet në analiza e ndikimit dhe faktorëve që i japin rol treguesve të financave publike.
Përtej punës që bëhet nga Ministria e Financave për forcimin e financave publike nëpërmjet masave zinxhir për të ardhurat dhe shpenzimet, shihet se lidhja e balancës primare i vlen qeverisë për të mos u përballur me kosto shumë më të larta të huamarrjes[4], por jo se bën dallim të dukshëm në forcimin e pozitave ekonomike të vendit dhe në sytë e investitorëve të huaj pasi nuk mjafton vetëm kaq.
Edhe pse (a) treguesit makroekonomikë janë përmirësuar por jo ndjeshëm, (b) papunësia është në nivelet më të ulëta historike, por te të rinjtë është ndër më të lartat, (c) inflacioni është rikthyer në objektiv përpara pritshmërive, por me rritje në produktet e përditshme, (d) pozicioni i jashtëm është përmirësuar falë performancës shumë të mirë të sektorit të turizmit, por me problematika të forta të ndikuara nga informaliteti dhe ekonomia e pastrukturuar, (e) investimet e huaja direkte kanë arritur nivelet më të larta historike, por 1/3 e tyre janë nga zona offshore dhe në drejtim të pasurive të paluajtshme, (f) të ardhurat buxhetore janë rritur, por me një kosto të lartë korrupsioni dhe paraje informale që po kufizon rritjen dhe zhvillimin e bizneseve, atëherë në përmbledhje, ky zhvillim është me shumë të pasiguri, mungesë besimi për qëndrueshmërinë e tij, dhe po kryhet në kushtet kur liria ekonomike kufizohet në vijimësi nga vendimet e qeverisë.
Në fakt rruga më e mirë, përtej tendencës së qeverisë për të treguar një realitet më optimist të situatës së financave publike të treguesve si më lart është orientimi i koordinuar i reformave ekonomike në ndikim të një rritjeje cilësore dhe e diversifikuar mbi nivele aktuale.
Aktualisht, shumica e rritjes vjen nga zhvillime sektoriale të paqëndrueshme[5] që nuk garantojnë dot objektivat për zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë.
Me gjithë investimet shumë të mëdha për mundësitë e buxhetit, me argumentin e pranueshëm për të mbyllur boshllëqet e infrastrukturës së trashëguar, konstatohet se Shqipëria është ende e paintegruar mirë me zinxhirët e vlerës globale[6]. “Lidhjet e Shqipërisë[7] janë ndër më të dobëta në Ballkanin Perëndimor, kryesisht për shkak të përqendrimit të lartë të eksporteve te prodhimi i produkteve me vlerë të ulët, mallrat e papërpunuara dhe turizmi. Analiza e FMN-së tregon se duke përmirësuar infrastrukturën, aftësitë e punës dhe adoptimin e politikave tregtare që sigurojnë mbrojtjen e investitorëve dhe harmonizojnë rregulloret dhe dispozitat ligjore, mund të rrisë shumë angazhimin e Shqipëria me tregun e jashtëm”.
Janë këto argumenta të prekshëm, ku me gjithë urimin për të marrë më të mirën e vlerësimeve ndërkombëtare për vendin, duket se kaq sa është bërë deri më sot dhe mos hapja e qeverisjes ndaj transparencës dhe llogaridhënies nuk arrin dot të forcojë pozitat e jashtme të Shqipërisë dhe të sjellë përfitime konkrete për ekonominë e vendit, të paktën për një periudhë të ardhme disavjeçare.
[1] https://www.oecd-ilibrary.org/sites/42c624f3-en/index.html?itemId=/content/component/42c624f3-en
[2] Shpenzimet për pagat dhe sigurimet, shpenzimet për pagesën e borxhit, shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe mbrojtjen sociale dhe shpenzimet për pushtetin vendor etj.
[3] Moody’s, Standard & Poor’s, Fitch
[4] një rritje me një pikë përqindje në deficitin primar shoqërohet me një rritje të kostos për njësi të shërbimit të borxhit mbi 20 pikë bazë
[5] Energjia ndikohet nga moti, ndërtimi nga politikat toleruese antievazioniste, turizmi mund të neutralizohet nga mungesa e fuqisë punëtore fizikisht, por edhe e kualifikuar
[6] Pra, sa mire është e lidhur ekonomia me tregun e jashtëm për prodhimet e saj
[7] https://www.imf.org/-/media/Files/Publications/DP/2019/English/LGWBEA.ashx
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.