Lajme

Të hyrat vetanake për frymë sipas komunave në Kosovë

Të hyrat vetanake komunale janë mjetet financiare që mblidhen nga taksat, tarifat, gjobat, pagesat për shërbimet publike të ofruara nga komuna, qiratë nga pronat e paluajtshme në pronësi të komunës, të hyrat nga shitja e pasurive komunale, të hyrat nga ndërrmarrjet komunale, dhe nga të hyrat nga bashkëpagesat nga shërbimet në arsim dhe shëndetësi, etj. Komunat i mbledhin të hyrat vetanake në dy forma: si tëhyra të mbledhura drejtperdrejt nga komuna si aktivitet i komunës dhe si të hyrat e arkëtuara nga niveli qëndror (në tekstin e mëtejmë, të hyrat indirekte) të cilat transferohen në komuna si pjesë përbërëse e të hyrave vetanake.

Tatimi në pronë konsiderohet si një e hyrë shumë e rëndësishme dhe një ndër kategoritë më të qëndrueshme të të hyrave komunale. Kuvendi komunal cakton tarifat tatimore mbi pronën në bazë vjetore në shkallën tatimore prej 0.05 % deri në një përqind 1% të vlerës së pronës në treg. Është me rëndësi fakti që të hyrat e grumbulluara nga komunat rikthehen tek qytetarët në formën më të mirë të mundshme të ofrimit të shërbimeve sa më të mira dhe më cilësore.

Në Kosovë barra fiskale ka ardhur në rritje nga viti në vit. Nëse analizojmë arkëtimet nga qeverisja vendore sipas komunave që janë pjesë përbërëse e 7 regjioneve vërehet se barrën më të lartë e mbajnë qytetarët e regjionit të Prishtinës me një ngarkesë taksash vendore prej 148 Euro në vit, si dhe ata të Gracanicës me 135 Euro në vit. Këto dy komuna kanë të hyra vetanake për banor më shumë se dyfishi i komunave të tjera në Kosovë.

Edhe pse barra e taksave ulet kur rritet baza tatimore, kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Regjionet e Prishtinës, Prizrenit dhe Mitrovicës janë me numrin më të lartë të popullsisë. Por, përveç Prishtinës, të dy regjionet e tjera nuk mbajnë një ngarkesë që të argumentohet nisur nga një bazë e gjerë tatimore. Në këtë këndvështrim, analiza kontaton se nivelet e administrimit të taksave vendore duhet të rritin kapacitetet e tyre për shfrytëzimin e mundësive për rritjen e të hyrave vendore.

Në një vështrim të shpërndarjes së barrës vendore shikohet se problemi i parë është kapaciteti i ulët i administrimit të taksave vendore.

Ndërkohë, shpërndarja jo e barabartë e barrës së taksave vendore spjegohet në një nivel të caktuar edhe me përqëndrimin e konsumit dhe industrisë e tregtisë jo në mënyrë të harmonizuar në të gjitha qarqet.

Një faktor ndikues gjithashtu lidhet me shpërndarjen e mallrave dhe shërbimeve për konsum, të cilat kanë një prirje të konsumohen jashtë zonës ku krijohen apo prodhohen drejt eksportit apo në zonat me dendësi popullsie.

Por, problemi që ende nuk po kufizohet është evazioni, i cili vjen nga një ekonomi informale e pandryshuar edhe pse të hyrat rriten nga viti në vit. Por kjo rritje e të ardhurave nuk vjen për arsye të betejave të fituara ndaj evazionit, por më së shumti si pjesë e taksimit që i përgjigjet zgjerimit të ekonomisë, si dhe reflektimit të inflacionit. Përqindja më e lartë e shërbimeve të pataksuara është një ndër problemet më të mprehta dhe masive për tregun kosovar.

Lufta ndaj evazionit fiskal, duhet të jetë fokusi kryesor i politikave fiskale, si pjesa e munguar që të mos jetë vetëm një mënyrë për të rritur të hyrat e qeverisë, por gjithashtu të shndërrohet në një mënyrë për të rritur barazinë e sistemit tatimor për tatimpaguesit. Kjo luftë do të diktojë edhe një transparencë më të plotë dhe një nevojë për të përmirësuar besueshmërinë e sistemit tatimor te qytetarët dhe bizneset.

Te dhenat per cdo komune dhe informacion te detajuar per barren fiskale e gjeni tek publikimi i Barres fiskale 2020

Identifikohu