Blog

A mundet të kemi një amnisti me rezultat pozitiv për buxhetin, ekonominë dhe shoqërinë?

Amnistia nënkupton idenë e faljes dhe rehabilitimit të mëkatarëve fiskale me mesazhin që na përcjell.
Një qeveri kur shpall amnisti nuk shfaq një dobësi të qeverisjes fiskale në vetvete. Amnistia del e nevojshme të shpallet në rastet kur evazioni fiskal, mosdeklarimi i të ardhurave dhe mosderdhja vullnetare e detyrimeve fiskale është në nivele të larta, apo kur ekonomia e fshehur (informale) është e përhapur në një shkalle të larte. Por, si po shpallet në projektin më të ri duket se ideaotrët duan të përfshijnë edhe kapitale për të cilat nuk ka ende një inventar se sa, si dhe ku do të angazhohen në ekonominë dhe tregun financiar shqiptar.

Amnistia shpallet edhe kur bashkëpunimi i tatimpaguesve me administratën është në nivele të ulëta dhe korrupsioni është bere një sëmundje kërcënuese dhe e strukturuar për ti bërë karshillëk shoqërisë, bashkëjetesës mes njerëzve dhe sigurisë së vendit.

Nisur nga këto treguesë, por dhe të tjerë që mund të njohe secili prej jush lind një nevoje e menjëhershme që të orientohet ky evazion fiskal në rrugën e formalizimit dhe të taksimit nga qeveria me një përgjegjshmëri, seriozitet dhe integritet si kurrë më parë.

Por a ka mundësi qeveria të realizojë një amnisti me rezultat pozitiv për buxhetin, ekonominë dhe shoqërinë?

Të gjitha amnistitë fiskale kane kusht themelor të tyre pagimin prej taksapaguesve të gjithë detyrimeve të papaguara apo të dala nga auditimet fiskale, por me një kosto më të ulët se pagesat e bëra nga tatimpaguesit e rregullt. Në këto raste, detyrimet e papaguara lejohet të paguhen me tarifat e kohës kur detyrimet fiskale kane lindur.

Puna e administratës fiskale për t’i ndërgjegjësuar tatimpaguesit me detyrimet e tyre duhet të jetë pararoja e shpalljes së amnistisë, duke mbushur boshllëkun informativ që mund të ketë munguar. Sidomos kjo vlen për në Shqipëri, ku kultura fiskale është ende në nivele të ulëta, apo një trashëgimin e munguar.

Shpallja e amnistisë nuk është një dëshire për të falur kundravajtësit fiskale dhe as lejim i hyrjes se parave të pista në superstradën e ekonomisë formale.

Ajo vjen në radhe të pare, pasi organizatoret kanë njohje në detaje për të metat e trashëguara të sistemit ekonomik dhe politiko-shoqëror dhe mbi këtë njohje kane parashikuar rezultatet e pritshme nga shpallja e saj.

Autoriteti vendimmarrës nëpërmjet instrumenteve të tij duhet të këqyre me vërejtje mangësitë e sistemit fiskal ekzistues, shkallën e bashkëpunimit me tatimpaguesit në pagimin e tatimeve në mënyre vullnetare, cilësinë e momentit të administratës fiskale.

Nëse këto tregues nuk janë ekzaminuar dot saktësisht, atëherë amnistia mund të sjelle me shume efekte negative sesa pozitive. Tatimpaguesit do të mendojnë se problemet, që ata kundërshtojnë për sistemin fiskal nuk janë përfshirë në programin e amnistisë. Si rrjedhoje, ata do të mbajnë shpresën se do të shpallet një amnisti tjetër që do t’i trajtoje ato.

Por, edhe pse amnistia nuk zgjidh dot gjithë problemet qe mbart sistemi fiskal, ai duhet të jetë një iniciues për adresimin e tyre.

Trajtimi me një precedence te ndryshimit te faktorëve ndikuese për ambjentin qe rrethon taksapaguesit (qasja aktuale moderne e te berit taksa) duke dhënë ndikim plotësues dhe te vlefshëm për revolucionarizimin është nevoje imediate, dhe kjo nuk mund të përcillet me procesin e FISKALIZIMIT. Per kete teme nevojitet qe te përcillet një diskutim edhe midis lidershipit te financave, të sektorit publik dhe privat. Ambjenti qe rrethon taksapaguesin është ai qe ndryshon perceptimin për taksat. Ndërkohë, fiskalizimi ka nevoje për një maratonë procesesh lidhur edhe me infrastrukturën financiare te re qe duhet te krijojnë bankat lidhur me përballimin e volumit te stërmadh te transaksioneve qe do te prodhoje futja e ligjit te Fiskalizimit.

Por, a i mban dot ky sistem dhe tregu financiar të dyja bashkë?

Më shumë përgjigjja anon nga Jo.

Shqipëria, që është e orientuar prej mese 3 dekadash nga ekonomia me prioritet tregun e lirë amnistia do të shërbente si një shkundje dhe pastrim i mbi dy dekadave halucinante ekonomiko-shoqërore që ka kaluar.

Evidentimi dhe vënia përballë kërkesave të legjislacionit në kuadrin bashkëpunues dhe harmonizues të gjithë ligjeve që kanë të bëjnë me luftën kundër qarkullimit të parasë me burim të paidentifikuar do të ishte hapi i parë në rrugën drejt shpalljes se amnistisë. Efektet e një AF në jetën ekonomike dhe sociale të vendit do të ishin pozitive, me të ardhura shtese në buxhet, kur të mund të plotësoheshin në pikat e programit të saj periudha që ajo do të preke, mbi ke do të aplikohet dhe sa kohe do të zgjasë.

Amnistia nga ana tjetër do të arrinte të mblidhte të ardhura për buxhetin e shtetit, duke shërbyer në balancimin e pjesës se shpenzimeve që kane ngelur pa mbuluar dhe duke shërbyer në ngushtimin e deficitit buxhetor. të ardhurat që mund të mblidhen do të jene të shpejta dhe do të vijnë nga detyrime fiskale që praktikisht nuk janë të mundshme të mblidhen apo kërkojnë një kosto të larte administrative.

Ky do të ishte momenti edhe për informalët, ku për ta hapet “porta” për të hyre në zonën formale të ekonomisë, si një mundësi e rrallë dhe e papërsëritshme në të ardhmen. Kjo nxitje behet efektive kur këta kundravajtës nëpërmjet fushatës publicitare kane arritur në ndërgjegjësimin, se forca e ligjit për ta do të jete e pamëshirshme, në rast se ata do të ngelen jashtë “portës” se hapur përkohësisht, për aq kohë sa do të zgjati amnistia.

Amnistia me shpalljen e saj është pranim pa koment, se janë bërë gabime në të kaluarën, por tani është koha të bëhen korrigjime në politikën dhe administrimin fiskal. Reforma fiskale dhe qasja ndaj luftës kundër evazionit duhet të behet pjese e amnistisë duke pasqyruar atmosferën të përmirësuar në jetën politike e sociale në vend. Qeveria do të forcoje besimin e tatimpaguesve, duke u treguar qytetareve se aktivitetit i tyre po shkon drejt barasvlerësimit të qytetarisë europiane perëndimore.

Amnistia do të ishte dhe një faze finale përmbyllëse e tranzicionit politiko-ekonomik duke hyre tashme në stilin e ri të menaxhimit të fondeve publike nëpërmjet një sistemi masash shtrënguese ligjore për gjithë kundravajtësit e ligjit, me parimin e një trajtimi fiskal neutral nga ana e qeverise të tatimpaguesve. Kjo çon në shpërndarjen e barrës fiskale në mënyrë të barabarte, si një kontribut personal në arkën e shtetit në këmbim të te mirave në rritje që i mirëpresim të gjithë dhe i marrim si pjesëtarë të “familjes” se re shqiptare.

Lufta ndaj evazionit fiskal, nga ana tjetër si një proces që synohet të adresohet më së shumti nëpërmjet teknologjisë (fiskalizimit) duhet të konceptohet, si një lufte e vazhdueshme me masa konkrete duke u nisur me shume nga analiza e shkaqeve që e stimulojnë atë sesa thjesht në penalizmin e tij duhet të jetë një pjesë thelbësore e gjithë kuadrit të punës së qeverisë, si para, por dhe pas amnistisë.

Lufta ndaj tij ka vite qe ka nisur. Por duket se rezultatet nuk bindin, pasi realiteti i informalitetit është bashkuar në simbiozë me një korrupsion tashmë të fuqizuar dhe strukturuar më mirë se disa vite më parë.

Kjo luftë mund të fitohet duke marrë një nga një betejat, duke filluar me shpërndarjen e pushtetit dhe baraspeshimin e tij duke krijuar shumëllojshmëri të institucioneve në sferën politike, si tregues të një demokracie të konsoliduar, përmirësimin e ligjeve dhe akteve nënligjore jofunksionale, rritjen e pavarësisë dhe aftësisë se gjykatave, efektivitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet gjymtyrëve qeverisëse, përmirësimin e punës statistikore, racionalizimin e shpenzimeve publike, përmirësimin e cilësisë se sektorit publik, përpjekjet në inkurajimin e punësimit dhe masa të tjera që janë pjesë programatike për zhvillimet e vendit.

Ndërkohë, tregu financiar është mjaft i vogël dhe ende pa përgatitjen e plotë për të përballuar flukse të mëdha të qarkullimit të dokumentacionit dhe parasë. Për këtë mjaftojnë shembuj të thjeshtë në rastet e marrjes apo hyrjes së shumave të mëdha, të cilat nuk gjejnë “superstradën” e pritshme për të hyrë pa probleme në sistemin financiar shqiptar.

Edhe pse tregu do të zgjerohet dhe përmirësohet me kalimin e kohës, duket se për këtë rast dëshira për të zgjidhur problemet nëpërmjet teknologjisë do të dojë një kohë tjetër për tu bërë realiteti i prekshëm dhe me rezultatet e pritshme dhe të nevojshme prej kohësh.

Identifikohu