Blog

Pandemia, rënia ekonomike dhe shoqëria civile varen nga njëra-tjetra

Merita e qasjes së Shqipërisë për të përballuar COVID-19, e cila u bazua më shumë në detyrime ligjore dhe bllokim të jetës ekonomike dhe sociale se sa në lënien në dorë të përgjegjësisë sociale meriton më shumë vëmendje dhe analiza, si nga këndvështrimi shëndetësor, ashtu edhe nga ai ekonomik e social.

Arsyetimi për të zgjedhur këtë qasje kufizuese ishte fryma e gjithë përhapur, se ekspozimi përballë pandemisë pa kufizuar kontaktet midis njerëzve do të ndikonte në humbje jete njësoj si i ndodhi fqinjit tonë, Italisë dhe më gjerë.

Ndërkohë, një argument që nuk pati ndikim në vendimmarrjen e qeverisë ishte fakti se pandemia do të zgjasë një kohë të gjatë. Prandaj nevojitet, që masat duhet të jenë të qëndrueshme nga pikëpamja sociale dhe ekonomike, duke mbajtur gjithashtu shkallën e përhapjes së pandemisë në një nivel që sistemi shëndetësor të ketë mundësi ta trajtojë.

Objektivi i fundit lidhur me kufizimin e shkallës së përhapjes dhe humbjes së jetëve duket se është arritur.

Kjo kohë që kaluam të bllokuar i dha mundësinë qeverisë të fitojë kohë dhe të alokojë burime për të përballuar një fluks të ardhëm të sëmurësh.

Kjo do të thotë që sfida e mbrojtjes prej pandemisë në të ardhmen duhet ti besohet përgjegjësisë sociale që është në dorë të njerëzve, në vend të një bllokimi të rreptë. Ndryshimet vullnetare në sjellje mund të luajnë një rol të rëndësishëm, pavarësisht nga rregulloret.

Kjo qasje e re mund të ndikojë për të moderuar ndikimin ekonomik nga efekti i krizës që ka trokitur në Shqipëri, siç tregohet edhe nga të dhënat për vlerën e shtuar në ekonomi për tremujorin e parë të vitit 2020. Konsumi u ul, dhe eksportet u ulën edhe pse mendohet që kjo të jetë përkohësisht. Sidoqoftë, ndërsa rifillimi i jetës ekonomike pasqyron problemet që vijnë pas një ndërprerje, në një farë mase ekzistojnë faktorë të tjerë dhe të ndryshëm që ndikojnë në këtë të fundit. 

Politika e kontrollit të brendshëm pati ndikimin më të madh në kërkesën e brendshme dhe veçanërisht për shërbimet. Rënia e veprimtarisë së shërbimit midis Marsit dhe Majit, megjithëse e rëndësishme kudo që ndodhi, duket se ka ndikuar më shumë në qytetet e mëdha, se sa në zonat turistike dhe bregdetare. Pasi vetë kjo kohë nuk është periudha e fluksit masiv të turistëve.  

Prodhimi, i cili është i orientuar drejt eksportit, gjithsesi është goditur fort, pasi vetë treguesit për këtë periudhë tregojnë një nivel rënie të paktën deri në gjysmën e volumit krahasuar me muajt respektivë në 2019. Rënia e prodhimit, që filloi në Mars është e ngjashme dhe efekt zinxhir i të njëjtit fenomen, që po përjetojnë edhe vendet e tjera evropiane. Kjo pasqyron një rënie të kërkesës së jashtme, si dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit, të cilat nuk përcaktohen nga politika e vetë kontrollit të vendit. 

Së bashku, këta faktorë dhe rënia relativisht e madhe e punësimit javët e fundit sugjerojnë se strategjia e kontrollit të brendshëm mund të ndikojë pjesërisht në frenimin e uljes së PBB-së, por që nuk kjo nuk ka ndikim të fortë në rezultatin e vitit 2020.  Shumica e parashikimeve nga FMN, BB, etj. kanë publikuar të dhëna, që tregojnë se ekonomia shqiptare do të përballet me një recesion të rëndë këtë vit.

Por është shumë herët të thuhet nëse kjo qasje që zbaton qeveria do të zgjasë recesionin.

Apo do të ndihmojë në rigjenerimin ekonomik, duke kërkuar për tregje të reja, si dhe për të forcuar më tej konkurueshmërinë e ekonomisë? 

Çdo mendim përfundimtar do të varet gjithashtu nga fakti nëse Shqipëria, si rezultat i qasjes së saj është më afër arritjes së imunitetit ndaj virusit në periudhën kur thuhet se do të rikthehet përsëri. 

Apo tashmë ka kaluar periudha e rriskut dhe ne do të jemi më shumë spektatorë sesa lojtarë në këtë ndeshje me të? 

Njohuritë mjekësore në lidhje me Covid-19 janë duke u rritur dhe testet e fundit tregojnë se arritja e fitimit të imunitetit është më i ulët, se sa u parashikua fillimisht, që do të thotë se kurba e tij është ende në trend aktiv.

Nga ky informacion ndikohet fati i vendimmarrjes së ardhme lidhur me politikën se do të angazhohen më tej burime dhe kohë për të luftuar ndikimin e pandemisë në jetën social-ekonomike.  

Apo do të angazhohen burimet dhe politika për të prevaluar rigjenerimi ekonomik me ritme më të shpejta sesa frika prej rikthimit të pandemisë?  

Kjo dilemë nënvizon rëndësinë e krijimit të hapësirës së bollshme fiskale dhe ruajtjes së pavarësisë operacionale të bankës qendrore, duke i mundësuar asaj që të krijojë shpejt një gamë të gjerë të instrumenteve.

Një program i koordinuar dhe gjithëpërfshirës është i nevojshëm për t'u marrë me nevojat e urgjencës shëndetësore, për të mbështetur aktivitetin ekonomik dhe për të përgatitur terrenin për shërim.

Kjo strategji duhet të kombinojë iniciativa afatshkurtra, të mesme dhe afatgjata, duke marrë parasysh tejkalimet dhe ndërlidhjet midis ekonomisë dhe nevojës për të ruajtur besimin dhe stabilitetin. 

Tashmë janë ndërmarrë disa masa në nivel kombëtar, të cilat janë bërë të njohura nëpërmjet emërtimit të tyre si paketa ndihme dhe solidariteti. Ato kanë filluar të japin efektin, të paktën minimal për të amortizuar sadopak ndikimet afatshkurtra të mungesës së likujditeteve, por edhe shkurtimit të mëtejshëm të vendeve të punës.

Megjithatë duhet përmendur fakti se kjo pandemi, ashtu si edhe rasti i goditjes nga tërmetet e vitit 2019 zbuluan mjaftueshëm difekte në nivel politikash, veprimi dhe menaxhimi që nuk janë ashtu si janë deklaruar nga politikanët e majtë se janë. Sistemi financiar dhe ai fiskal edhe njëherë provoi se shqetësimet e ngritura nga biznesi për hapësirën e të bërit biznes është me shumë probleme në aspektin e lirshmërisë për të vepruar, të informalitetit prezent, por edhe të pjesës së parregullshmërisë dhe pakorrektësisë me detyrimet ligjore në kuadrin e barazisë para ligjit.

Burimet e rëndësishme publike, të cilat tashmë janë të drejtuara për të forcuar sektorin e kujdesit shëndetësor dhe mekanizmat e mbrojtjes civile dhe për të mbështetur punëtorët e prekur dhe sektorët ekonomikë do të bëjnë efektin e mbulimit të defekteve dhe punëve të bëra shkel e shko. Kështu, edhe njëherë tjetër përgjegjësia për shumë adresime problemesh do të mbetet e pazbatuar.  

Për të kapërcyer këtë pandemi duhet të kalohet në një përpjekje kombëtare të koordinuar mes politikave dhe veprimeve. Politikat shëndetësore dhe politike, si dhe ato social- ekonomike, duhen testuar dhe diskutuar midis grupeve dhe interesave të shoqërisë dhe ekonomisë. E gjitha duhet të jetë edhe një nismë kombëtare për të pastruar dhe ribërë shumë punë dhe programe, që nuk janë bërë si duhet, apo janë bërë më keq se paraardhësit.

E gjithë kjo përpjekje duhet të bëhet duke patur si partnere të qeverisjes pikërisht shoqërinë civile.  Në përgjigje të krizës, qeveria duhet të prezantojë se rifillimi i jetës ekonomike nuk mund të katandiset vetëm në kompensime ekonomike dhe nisma të politikës monetare dhe fiskale. Ngjarjet publike që do të vijnë si reagim prej gjithë situatës që kjo pandemi ndryshoi në të gjithë vendin duhet të jenë në sinkron me qasjen e qeverisë për të ndryshuar vetveten, por me një sinqeritet që shkon përtej ndërrimit “të kuajve” drejt garës së ardhme elektorale.

Nisur nga realiteti se fronti ekonomik ka filluar tashmë përballjen me një recesion që nuk mund të shmanget më, atëherë thirrja që shoqëria civile duhet ti drejtojë qeveritë është që të vendosi masa për të përmirësuar kërkesën e përgjithshme dhe rritjen e konsumit. Shqipëria do të duhet të mbajë pasojat e koronavirusit për vite me radhë nëse reagimi i politikës është i vonë, i dobët ose i pa koordinuar.

Pandemia, rënia ekonomike dhe kriza financiare varen reciprokisht. Dhe sa më të thella dhe më të gjata do të jetë kjo krizë, aq më i rrezikshëm është ndikimi i kombinuar i tyre. Kjo do të thotë që ato duhet të zbuten në të njëjtën kohë: Periudhat e gjata të ofertës dhe kërkesës së dobët mund të çojnë në rritje të papunësisë, kapital të ulët.

Me fjalë të tjera, kanë nevojë për një strategji për të nxitur burimet publike dhe private me nxitim

Identifikohu