Blog

Askush nuk i kushton shumë vëmendje politikës ekonomike

Një faktor shtesë që stimulon rritjen ekonomike të Shqipërisë është integrimi i shpejtë i vendit në ekonominë rajonale dhe me vizionin për të patur një derë të hapur edhe në ekonominë europiane.  

Eksportet për periudhën 2009 -2019 janë rritur nga 1.2 miliard USD në 2009 në 2.6 miliard USD në 2019. Kjo është një rritje prej 2.2 herë dhe tregon që eksportet janë rritur në këtë dimension më shumë se rritja ekonomike. 

Por një ekonomi mund të zhvillohet para se të ketë evoluar një sistem të fortë ligjor. Sistemi i dobët gjyqësore ka ndikuar në krijimin e një qeverisje të dobët të bizneseve duke penguar evolucionin e tregjeve financiare. Pa një legjislacion të fortë të qeverisjes korporatave, si dhe një sistem të fuqishëm gjyqësor, partnerët në biznes e kanë të vështirë të bien dakord se si të zgjidhin konfliktet. Kur institucionet janë të dobëta, të bërit biznes me të huajt është i rrezikshëm dhe me mungesë besimi mes njeri-tjetrit.  

Politika reformuese duhet të jetë në lëvizje të vazhdueshme, ndërsa politika e zakonshme është ajo që rrotullohet rreth vetes dhe ndryshimi është i vogël dhe jo i qenësishëm. 

Shumica e reformave ekonomike, por edhe reformat e tjera me karakter social e politik bëhen në fillimin e mandatit qeverisës. Më tej koha për të “mbjellur” fidanët e reformave nuk është e përshtatshme, pasi rutina e qeverisjes e zbeh vullnetin për të kryer reforma. 

Duke pasur parasysh që koha është kaq e shkurtër dhe kapaciteti i politikë bërjes është i kufizuar, vendimet duhet të jenë të thjeshta. Një arsye tjetër për qasjen me thjeshtësi është se aparati qeveritar është në favor të qëndrimit pasiv, por zakonisht politikat reformuese arrin ti sabotojë në mënyrë aktive. 

Në fakt, nuk është tamam administrata që e gjeneron problemin. Vizioni është i paqartë dhe vullneti i politikës nuk funksionon aq mirë. 

Një ekonomi që është fituese ndaj sfidave ka një pamje transparente dhe konkurruese, duke ofruar më pak avantazhe për ndërmarrjet e mëdha dhe ato që vijojnë me modelin e vjetër dhe duke mbështetur te teknologjia dhe bizneset e reja.  

Stabilizimi financiar duhet të zhvendosë fuqinë e tij mbi politikën ekonomike.Këto kushte themelore bëjnë të mundur që Shqipëria të gjenerojë këtë rritje të qëndrueshme dhe të lartë ekonomike. Megjithatë nëse vijon dhe përhaet më tej këmbimi barter, kjo mund të jetë një shkak i rëndësishëm strukturor i rrëzimit financiar.

Në përgjithësi, një nivel më i lartë i taksave se ky që është në zbatim nuk është as i justifikuar dhe as i dobishëm për rritjen ekonomike. Ndërkohë, rrëzimi i financave publike prej vitit 2019 është aq i rëndë sa Shqipëria ka të ngjarë të ruajë ekuilibrin e konsolidimit të fortë makroekonomik ndoshta për një gjeneratë.

Politika e tanishme makroekonomike është e kujdesshme, por është lënë jashtë vëmendjes fakti që ekonomia kërkon që ti paraprihet modeleve të hapjes së ekonomisë me qasje konsistente, të qartë dhe të mirë strukturuar. Por, ky modelim i politikës ekonomike (jo ajo që gjendet në dokumentat zyrtare aktuale) kërkon përgatitjen e një grupi teknokratësh dhe ekspertësh të aftë dhe të guximshëm për të përballuar këto ngarkesa që nuk mund të përmbushen nga administrata aktuale.

Ekonomistët e të gjitha ngjyrave politike duhet të bëhen të preokupuar lidhur me modelimin e një politike ekonomike të gjithë pranuar, si dhe me qasje dhe objektiva të plota për efektivitetin e pritshëm për rritjen ekonomike.

Presioni i politikave ekonomike ekspansioniste nga vendet fqinje është i fortë. Ekonomitë e tyre janë në nivele më të forta konkurueshmërie se Shqipëria. I gjithë rajoni është rritur në mënyrë të qëndrueshme. Shqipëria është në të vërtetë relativisht më pak dinamike.

Nga kjo situatë, lidershipi aktual qeverisës mund të pretendojë përqendrimin në rritjen dhe përfundimin e reformave ekonomike. Por treguesit e rritjes ekonomike kanë treguar se pas vitit të kaluar gjysma e rritjes duhet të adresohet tashmë që të bazohet tek kapitali (formal dhe informal) dhe gjysma tjetër duhet të vijë nga rritja e produktivitetit të përgjithshëm të faktorëve që përcaktohen në raportin e konkurueshmërisë ekonomike. Ndërkaq, puna ka dhënë një kontribut të vogël pozitiv dhe pritshmëria për efektivitetin e fuqisë punëtore është pak optimist, pasi ende nuk ka një qasje gjithpërfshirëse për rritjen e kapaciteteve të tyre dhe aftësimin ndaj sfidës teknologjike.

Njerëzit janë të lodhur nga politika.

Ata duan një rritje ekonomike qoftë edhe të vogël, por me kushtin që kjo rritje të jetë e qetë dhe pa ndryshime dhe kthesa të papritura. 

Për rrjedhojë, nëse nuk krijohet një treg i zhvilluar për idetë novatore dhe reformuese të politikës ekonomike, as përparësitë nuk do të jenë të dukshme. Kjo duhej të ishte prezente nga lidershipi reformator, me qasje teknokrate. Nëse po zhvillohen reforma ekonomike kjo do të dukej nëse ka ndonjë reformator politik të jetë futur në qeveri. As mbështetja parlamentare nuk mund të mobilizojë dot kur nuk ka asgjë për të zbatuar në këtë aspekt. Asnjë organizatë ndërkombëtare nuk është përgjegjëse për ndërtimin e ekonomisë konkurruese në demokraci. 

Lidershipi aktual vazhdon të jetë gjithçka për të gjithë, dhe ai është një lexues i etur i sondazheve të opinioneve dhe e bazon veprimin e radhës bazuar mbi te dhënat e tyre. Ndërkohë, është e vështirë që çdo media (e shkruar, elektronike dhe sociale) të mos jenë pjesë e ndikimit të këtij lidershipi. Botuesit dhe redaktorët, por edhe gazetarët e zakonshëm janë bindur se kanë më shumë jetëgjatësi në profesion nëse ata censurojnë veten e tyre. 

Ministria e Financave duhet të ishte qendra e reformës, duke mbrojtur reformën gjithëpërfshirëse ekonomike të tregut. Por, çuditërisht disa funksione janë mbivendosur në një Ministri të re. Fuqitë kryesore financiare në qeveri qëndrojnë në këtë Ministri, e cila në pamje të parë ka qasje liberale ndaj dy vatrave financiare të krizës që rrethon vendin. Kjo Ministri konsiderohet si portofoli buxhetor më i rëndësishëm dhe frika është se ndoshta priret për të promovuar interesa oligarkike. 

Zakonisht vendet evoluojnë drejt pluralizmit ekonomik kur ekonomitë e tyre bëhen më të pasura, më të hapura dhe popullsia e tyre më e arsimuar. Një zhvillim i natyrshëm do të ishte që Shqipëria në kohën e duhur do të hedhë barrierat saj te krijuara nga politika e piste dhe do të piqet si një ekonomi, edhe nëse duhet të kapërcejë një trashëgimi të rëndë autoritare. 

Por, kujdes! 

Nëse nuk keni mundësi apo nuk dini çfarë të bëni mos reagoni pasi në fund nuk arrini asgjë.

Identifikohu