Blog

Ndikimi politik mbi ekonominë është armiku i saj

Nisur nga fakti se qëllimi kryesor i reformës është depolitizimi i jetës ekonomike, atëherë liberalizimi i ekonomisë është një prioritet. Liberalizimi e nxit depolitizimin, sepse privon politikanët nga mundësia për të përfituar nga proceset e ndryshme ekonomike në vend.

Por nga ana tjetër, një liberalizim dhe hapje e ekonomisë që bëhen pa zbatuar kuadrin ligjor dhe duke anashkaluar rregullat është një e keqe e madhe, që e diskrediton këtë reformë, si dhe dëmton ardhmërinë.

Mungesa e zbatimit të ligjit në kohë dhe me standartet e miratuara është edhe një nga sëmundjet më të mëdha që vijnë nga ndikimi i politikës. Arsyet që nuk ecnin reformat zakonisht adresohen me ndryshime ligjore.  

Një arsye për këtë është mungesa e llogaridhënies dhe transparencës. Ndryshimi i ligjeve e humbet motivin e llogaridhënies. Një arsye tjetër është se miratimi i një ligji për të modifikuar një praktikë ligjore është një arsye e fortë që ligji të mos arrijë asnjëherë të jetë i zbatueshëm deri në fund. Ai humb konsistencën, frymën e tij dhe natyrisht demotivon zbatimin e tij.  

Ndërkohë, një pjesë e mirë e ligjeve që ndryshohen vijnë si ndikim prej presionit për përfitime individuale apo në grup duke i dhënë arsye vetes për të mos u bërë objekt hetimi dhe përgojimi nga votuesit.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë, që qeveritë të kenë filluar një reformë gjithëpërfshirëse radikale.Vetëm disa masa të konsideruara si reforme ishin radikale. Praktikisht të gjitha ishin të suksesshme, ndërsa të gjitha politikat "e moderuara" kanë dështuar. Reformatorët që kanë qenë në pushtet janë përballur me kriza politike në vazhdim d.m.th. destabilizim politik, që është dhe do të jetë faza finale e dështimit të shtetit dhe në më shumë se disa raste vendi kryesisht ka mbetur i pa qeverisur.

Asnjë reformë rrënjësore nuk ndodh aktualisht pa bekimin e liderëve, por përfshirja e tyre është e pamjaftueshme për një mbështetje të plotë politike. Nuk mjafton të përqafosh reformat, kur secili nga ta me modelin e drejtimit ndihmon në shkundjen e ekonomisë drejt rrëmujave të korruptuara. Ndikimi politik mbi jetën ekonomike është shkaku themelor i mungesës së efikasitetit ekonomik.

Mjafton të përmendim vetëm një fakt në këtë aspekt.

Qytetarët e zgjedhur për të qenë protagonistë në proceset liberalizuese të ekonomisë me kalimin e pak viteve u bënë mjaft të pasur kur transferuan këto të mira të garantuara nga ndërmarrjet shtetërore në llogaritë e tyre private përmes transferimit me anë të çmimeve korruptive, por edhe duke mos u merakosur për të arritur në nivelin e vjedhjes së hapur. 

Pas arritjes në këtë standart të ri mirëqenie, interesat e menaxherëve të ish- ndërmarrjeve shtetërore, apo edhe ata të rinjtë që vijojnë të drejtojnë ato janë larguar nga individët që mbartin detyrat për të kryer reformat. Menaxherëve që u favorizuan apo vijojnë të jenë pjesë e grupit të ngushtë të interesave private u duhet një tranzicion i zgjatur, madje edhe i kushtueshëm në aspektin shoqëror. Nëse lideri nuk arrin kurrë ta kuptojë këtë fati i reformave është drejt dështimit. 

Por edhe pse ndoshta reformatorët kryesorë mund ta kuptojnë këtë realitet, duket se as ata nuk e ndjejnë se duhet të përpiqen të bashkojnë forcat dhe veprimet dhe të mposhtin klasën e re të menaxherëve që janë duke u fuqizuar në saj të strukturave të gatshme të ekonomisë publike dhe me mbështetje të caktuar politike.

Ata mund te na duken sikur e duan shtetin, por ne fakt qëllimi i vetëm është përfitimi prej tij duke arritur te korruptojnë edhe pjese apo gjithë lidershipin reformator.

Drejtuesit dhe menaxherët e kompanive te mëdha, qe operojnë me paret e buxhetit janë opozita me e madhe e shtetit, pasi qëllimi për te  përfituar fonde është me i forte se çdo ndjenje tjetër.

Zakonisht, reforma të mëdha ndërmerren nga profesionistë të rinj. që vijnë nga jashtë duke sjellë njohuri të reja dhe duke i koordinuar me profesionistët e vendit që njohin mënyrën e përshtatjes së tyre në ambjentin e brendshëm.

Sado që dukej se lidershipi aktual është radikal dhe i vendosur, ai paraqitet si një version që mbron “bastet” e tij me fatin. Në fakt duket se është më tepër intuitiv sesa i qëndrueshëm. Pasi emëroi ministrat e tij të rinj të reformës, ai i mban ata në një distancë dhe nuk u jep atyre asnjë mundësi të drejtpërdrejtë për afërsi me të.

Ky nuk është një zakon normal i qeverisjes normale.

Le  të presim për pak se deri ku do te arrije kjo qasje e ndikimit te lidershipit mbi politiken, e cila ndikon edhe mbi ekonominë.

Identifikohu