Blog

Marihuana si model biznesi dhe si ndihmesë për buxhetin

Të paktën deri 52 vende të ndryshme të botës e kanë të legalizuar në nivele të ndryshme kanabisin (marihuanën). Në shumicën e rasteve ai është i legalizuar për përdorim mjekësor duke u prodhuar dhe tregtuar sipas autorizimeve të posaçme të lejuara nga qeveria. Në disa vende ai është tërësisht i legalizuar. Ndërkohë disa vende të tjera kanë realizuar një legalizim të kanabisit për prodhime farmaceutike.

Hollandezët, të cilët mbahen si simbol për legalizimin e kanabisit në fakt kanë legalizuar vetëm shitjet me pakicë, jo prodhimin ose tregtinë me shumicë, pa përfshirë marketingun apo aktivitete të tjera të lidhura me këtë produkt.

Debate të ndryshme egzistojnë në pothuajse të gjitha vendet që e kanë të legalizuar kanabisin për prodhim dhe tregtim duke filluar me dialogun midis qeverisjes lokale me atë qendrore lidhur me juridiksionin dhe duke mbaruar te komentet lidhur me përfitimin e të ardhurave tatimore nga kjo veprimtari. Por edhe ligjet kanë kundërshti mosfunksionale mes tyre duke sjellë përplasje dhe debate të forta midis situatës aktuale të zbatimit të ligjit dhe tejkalimit të tij në mjaft raste.

Është fakt i pakundërshtueshëm që një legalizim me prirje përdorimin mjekësor do të ndihmonte me të gjitha forcat e tij buxhetin e dobët tashmë të Shqipërisë, prej gati një viti. Edhe pse nevoja për para është mjaft e ngutshme kjo qasje që kryesisht ka argumente për të ndihmuar buxhetin me të ardhura, por edhe për të ndikuar sado pak turistët që tërhiqen nga ky produkt është një qasje që kërkohet të zbatohet në një ambjent ekonomik me informalitet të lartë dhe papunësi, që edhe pse ka rënie është e keqpaguar në krahasim me nevojat e përditshme.

Për fat të mirë, sasia e opsioneve nuk është e kufizuar në ruajtjen e status quo-së ose duke tentuar drejt një legalizimi të ngjashëm me industrinë e duhanit.  Ekzistojnë shumë mundësi të ndërmjetme, duke përfshirë kufizimin e prodhimit dhe shitjes në bashkësi të vogla, jofitimprurëse, kartat e të cilave i detyrojnë ato të plotësojnë vetëm kërkesën ekzistuese dhe të mos promovojnë përdorim më të madh.

Taksat janë ndër temat më të dukshme në këto debate. Edhe pse mjaft vende të ndryshme kanë krijuar një përvojë të caktuar në administrimin e këtij biznesi mjaft të veçantë duket se askush nuk po di se si ta taksojë kanabisin me kujdesin që kërkon ky mall specifik.  

Studimet që janë kryer në disa vende sugjerojnë që taksat, veçanërisht taksat mbi kanabisin ose aktivitetet që konsiderohen të dëmshme, të tilla si lojërat e fatit, pijet alkoolike të cilat e ndryshojnë sjelljen e konsumatorit janë mjaft të ndryshme në mënyrën dhe formën si aplikohen.

Taksimi i kanabisit nuk është i thjeshtë. Legalizimi nga qeveria, duke lejuar bizneset fitimprurëse të shesin kanabis me gjasa do të nxisë një treg dinamik që do të evoluojë në mënyrë të paparashikueshme dhe me potencialin për lobim agresiv ndaj taksave, luhatjet e çmimeve do të futen në një spirale ku do të fillohet të konkurrohet nga tregu informal. Për këtë duhet të jemi të sigurt!Informaliteti do të fillojë të veprojë edhe në këtë aktivitet të ri, pasi është një mentalitet që nuk largohet lehtë qoftë edhe me penalizimet e rënda që pritet të vendosen për gjithë shkelësit e ligjit që pritet të miratohet në 6-mujorin e parë 2020.  Ndërhyrja e tregut informal do të zvogëlojë çdo taksë të lartë të vendosur ndaj këtij aktiviteti. E gjithë kjo do të krijojë efekte dytësore të komplikuara. 

Shtetet që janë më përpara me taksimin e kanabisit kanë miratuar tarifa legalizimi, si dhe kanë miratuar taksa mbi qarkullimin në vlerë. Por duket se kjo praktikë e zbatuar deri më sot edhe pse ka dhënë të ardhura, për arsye të kërkesës së madhe për kanabis ka ndikuar ndërkaq në çmimet e tregut, të cilat bien për arsye të ofertës së madhe. Nisur nga legalizimi i pritshëm i prodhimit të tij duket se pritshmëria për tu vendosur bizneset e autorizuara do të jenë në ato zona ku kostoja e prodhimit të tij, pra edhe fuqia punëtore është e lirë dhe në këtë mënyrë do të ketë më shumë fitime për njësi produkti.

Prandaj, kostot e prodhimit të këtij aktiviteti do të drejtohen nga rregullat dhe taksat, dhe jo nga kostoja e prodhimit që do të bazohet te toka për mbjellje dhe magazinim, si dhe puna. Nisur nga kjo analizë e kostos, por edhe nga interesi nga secila zonë lokale e vendit do të ishte mjaft e drejtë që për të kryer këtë aktivitet të kishte një konkurrim apo shpërndarje të drejtë të numrit dhe të drejtës për të bërë biznes me kanabis.

Meqenëse në vend është hedhur kjo ide, e cila ende nuk shoqërohet nga një draft për konsultë publike dhe diskutim me ekspertët e sektorëve të ndryshëm duket se parimet e taksimit do të funksionojnë edhe në këtë rast. 

Kështu këto parime që mund të ndihmojnë modelimin e taksave të kanabisit për të shmangur efekte dhe probleme të mundshme janë parimi i (a) barazisë, (b) paanshmërisë, (c) thjeshtësisë (d) distancimit nga politika. 

Së bashku, këto parime nënkuptojnë se politika tatimore do të duhet të përshtatet në mënyrë dinamike ndaj rrethanave që ndryshojnë. Në fakt, kjo tip politike tatimore nuk është ajo për të cilën ligjvënësit njihen se e kanë preferencë të tyre.  

Në përgjithësi, taksat do të duhet të përshtaten për t'iu përgjigjur tendencave të paparashikuara. Ndoshta një model taksimi mund të jetë i ngjashëm me taksimin e produkteve të duhanit, të cilat taksohen edhe me akcizë, në kuadrin e mallrave të veçanta që nuk prishin kërkesën dhe ofertën në treg. 

Taksat do të duhet të jenë gati uniforme për të gjitha cilësitë e kanabisit. Ato do të duhet të mbulojnë një larmi të gjerë produktesh dhe nuk mundet të jenë të sheshta, pasi duhet të rriten në mënyrë dramatike me kalimin e kohës. 

Në momentin e legalizimit, Kuvendi do të ketë disa opsione legjislative që do të duhet të lejojnë që të ardhurat e kanabisit të rriten me kalimin e kohës duke ruajtur fleksibilitetin. Një plan tjetër i mundshëm do të ishte për ngadalësimin e rritjes së taksave me kalimin e kohës. Në kontrollin fiskal dhe rregullator që do të duhet të bëhet natyrisht, që kërkohet nivel integriteti mjaft i pacënueshëm, si dhe një nivel profesionalizmi që zbatohet për raste të natyrës së ngjashme deri më sot. 

Por, a është një veprim vizionar të legalizosh kanabisin për qëllime mjekësore, kur ekzistojnë forma të tjera që mund t'i shërbejnë më mirë interesit publik. 

Asnjë vend nuk ka legalizuar ndonjëherë një industri kanabisi fitimprurëse njësoj si industria e duhanit. Nisur nga ky fakt ne thjesht nuk e dimë se çfarë po vjen bashkë me këtë legalizim të pjesshëm.

Pa një përpunim të mentalitetit në qëndrimet e publikut në lidhje me zbatimin dhe gjobat për evazion tatimor, abuzimet me çmimet dhe cilësinë ka të ngjarë që ky aktivitet jo tradicional të jetë mjaft i paqëndrueshëm.

Identifikohu