Blog

Lidershipi brenda perimetrit të pushtetit

Problemi i të menduarit në grup dhe injoranca individuale prek jo vetëm votuesit dhe klientët e zakonshëm, por edhe presidentët, kryeministrat dhe drejtuesit e shoqërive. 

Këta të fundit mund të kenë në dispozicion një mori konsulentësh dhe rrjetesh të fuqishme informacioni, por kjo jo domosdoshmërisht i bën gjërat më të lehta. 

Asnjë lider sot në botë nuk mund të jetë i sigurt në fakt, se njerëzit dhe subjektet afër tij i thonë të vërtetën. Për ta është jashtëzakonisht e ndërlikuar të zbulojnë të vërtetën dhe të eksplorojnë vetveten, që nga momenti kur drejtojnë rrjete, biznese të mëdha apo shtete, pasi drejtimi në fakt ka filluar të orientohet nga informacioni që qarkullon brenda perimetrit të konsulentëve të pushtetit/ndikimit të tyre. 

Kushdo tjetër që komunikon direkt me liderin ruhet me një kujdes të vetëdijshëm për të mos i prishur atij kënaqësinë e të shijuarit të sukseseve personale. Ndërkohë, ju/ne të tjerët duhet të shpenzoni kaq shumë kohë në periferi të pushtetit për t'u afruar në qendër të tij ku faktikisht mund të shkëmbehen njohuri të shkëlqyera dhe revolucionarizuese. Por kjo kohë përgjatë këtij rrugëtimi është me gropa dhe me gunga, me ide të pamundura të finalizohen, me komente paragjykuese dhe me pengesa qesharake të nxitura nga ndjesitë negative.

Shumica e liderëve politikë dhe biznesmenëve të mëdhenj janë gjithmonë në një nxitim, ku nuk e shikon fundin e tij asnjëherë. Mirëpo ky është problem për ta.

Nëse atyre u duhet të vlerësojnë situatat dhe të adresojnë zgjidhjen e problemeve komplekse, atyre u duhet të kenë shumë kohë në dispozicion. Nga ana tjetër, nëse duhet të thellohen në adresimin e secilit probleme në veçanti, atëherë atyre u duhet të kenë në inventar edhe më shumë kohë për ta konsumuar. 

Nisur nga kjo kontradiktë e kohës, ata duhet të jenë në gjendje të eksperimentojnë me qasje produktive, të eksplorojnë momentet joproduktive të tyre duke lënë shumë më pak hapësirë për tu marrë me punë të natyrës personale dhe ato brenda grupit të tyre. Në këtë ambjent lidershipi, delegimi tek të besuarit e liderit është rrugëzgjidhja që funksionon anembanë botës deri më sot.

Fuqia e liderit ka të bëjë me ndryshimin e realitetit. Në vend që ta shohë atë,  ai duhet të përpiqet me guxim dhe mençuri ta ndryshojë, dhe për këtë më së shumti përdor pikërisht njerëzit përreth perimetrit që ka krijuar pushteti i tij. Janë këta njerëz që ai nuk mundet ti lëshojë më, pasi lideri dhe ata janë në simbiozë me njëri-tjetrin.

Por, problemi më i madh në rrugëtimin e pushtetit për të ndryshuar ambjentin është sensi i masës.

Ruajtja e sensit për të mos tejkaluar kufirin e efektit që jep pushteti është problemi më i madh i liderit. Është njësoj si në rastin kur keni një stekë bilardoje dhe jeni duke luajtur. Në atë moment gjithçka që gjendet në fushën e bilardos ju duket si top për ta gjuajtur.

Në gjithë këtë rrugëtim të përbashkët në kohë, vjen një moment i pashmangshëm kur duhet filluar ndryshimi nga vetja. Siç ka thënë edhe Sokrati mbi dy mijë vite më parë, më e mira që mund të bëjmë në këto kushte është “të gjejmë vetveten dhe të njohim vetveten”.

Nga gjithë kjo mund të fillojmë ta kuptojmë botën edhe njëherë, duke shpresuar në një analizë të re për të bërë dallimin midis asaj që është e drejtë dhe asaj që është e padrejtë.

Nëse lideri dhe po të njëjtët njerëz qëndrojnë për shumë kohë bashkë në qendër të pushtetit pa hyrë në këtë proces analize dhe të vlerësojnë vetveten, ata do të kenë një pamje jo qartësisht të njëjtë për botën që i rrethon së jashtmi. Secili kërkon që të jetë në një pozicion më të mirë për të qenë më komod se më përpara. Ky pozicion arrihet vetëm duke përdorur kontributin e të tjerëve për të promovuar veten para eprorit.

Nëse kjo tendencë do të zgjasë në kohë, atëherë lidershipi do të fillojë të merret me analizimin e perimetrit. Por, ky moment është fillimi i fundit. Atëherë ai do të humbasi pjesën më të madhe të kohës së çmuar, ndërsa situata përkeqësohet fillimisht për njerëzit e zakonshëm dhe më pas për ta.

Në fund vjen momenti që lideri, kur merr fuqi të madhe në duart e tij, gjithçka i duket si një ftesë shumë përdorimshme për të luajtur me “stekën” vetëm ai dhe grupi i tij. Edhe nëse disi lideri arrin ta kontrollojë dëshirën e brendshme për ta kufizuar këtë prirje, ata përreth tij nuk do të harrojnë kurrë së kujtuari liderit shansin e madh të mbarimit të lojës me një stekë.

Identifikohu