Agjenti dhe përfaqësuesi tatimor
Roli i agjentit
Nëse një person vepron në cilësinë e agjentit për një person tjetër ai kryen furnizime të tatueshme mallrash dhe shërbimesh në emër të kryesorit. Agjenti merr përsipër të kryejë furnizimin e mallrave dhe shërbimeve nën përgjegjësinë e tij, por në emër dhe për llogari të kryesorit.
Furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në këto raste janë objekt i TVSH-së, si vlera e furnizimit të tatueshëm të kryesorit, po ashtu dhe vlera e furnizimit të shërbimit (komisionit) të agjentit. Agjenti është i detyruar të mbledhë TVSH-në nga konsumatori.
Për të vepruar si një agjent, duhet të ekzistojë një marrëveshje midis tij dhe kryesorit lidhur me faktin e realizimit të furnizimit dhe specifika të transaksionit.
Në këtë marëdhënie duhet:
- Të jetë e përcaktuar qartë gjithnjë qartë roli i agjentit, në mënyrë që administrata tatimore të kuptojë që agjenti po realizon furnizimin e shërbimit për llogari të kryesorit dhe nuk po e kryen për llogari të veprimtarisë ekonomike të tij.
- Të jetë përcaktuar qartë që agjenti nuk është zotëruesi i mallit apo shërbimit, të cilin e ka blerë apo shitur për llogari të kryesorit dhe;
- Të jetë përcaktuar qartë që agjenti nuk mund të ndryshojë dot vlerën e furnizimit të mallit apo shërbimit të kontaktuar midis kryesorit dhe palës së tretë, që është porositësi.
Agjenti, zakonisht përfshihet në të paktën dy furnizime të tatueshme të ndara në kohë:
- Furnizimi i bërë midis kryesorit dhe porositësit dhe;
- Furnizimi i bërë për shërbimet e agjentit për llogari të kryesorit, për të cilën agjenti do të vendosë një komision.
Ky komision konsiderohet një furnizim shërbimi dhe është i tatueshëm nëse kryhet brenda territorit të republikës së Shqipërisë me shkallën standarte 20% TVSH.
NË rast, se furnizimi i shërbimit konsumohet jashtë territorit të republikës së Shqipërisë, konsiderohet si një furnizim shërbimi për eksport dhe tatohet me shkallën 0%.
Agjenti vepron në dy role, që janë të prezantuara më poshtë.
Agjent shitës. Furnizimi i shërbimit në shitje i realizuar prej agjentitt për llogari të kryesorit me destinacion porositësin do të aplikohet sipas konceptimit të furnizimit të përzier.
Nëse furnizimi i shërbimit është një furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, atëherë dhe furnizimi i shërbimit të agjentit do të jetë i përjashtuar nga TVSH-ja.
Agjent blerës. Furnizimi i shërbimit në blerje i realizuar prej agjentit për llogari të kryesorit me destinacion nga porositësi drejt kryesorit do të aplikohet sipas konceptimit të furnizimit të përzier.
Nëse furnizimi i shërbimit është një furnizim i përjashtuar nga TVSH-ja, atëherë dhe furnizimi i shërbimit të agjentit do të jetë i përjashtuar nga TVSH-ja.
Furnizimi i shërbimit në rolin e agjentit të mbledhjes dhe pagesës së tarifës për kalimin me avion të kufirit të republikës së Shqipërisë si shërbim i lidhur me transportin ndërkombëtar të pasagjerëve është i tatueshëm me 0%.
Agjensitë e udhëtimit
Llogaritja e qarkullimit të agjencive për qëllime të përcaktimit të kufirit minimal të regjistrimit për TVSH-në është vlera totale e paguar prej klientit për çdo shërbim, pavarësisht nëse ai shërbim i nënshtrohet ose jo regjimit të marzhit, është i tatueshëm me 0% si shërbim i kryer për jashtë, apo i tatueshëm me 20%.
Marzhi i agjentit të udhëtimit përfshin edhe TVSH-në dhe llogaritja e vlerës së tatueshme dhe të TVSH-së së mbledhshme sipas këtij regjimi bëhet si më poshtë:
– Vlera e tatueshme = Marzhi i agjentit të udhëtimit – TVSH-në e mbledhshme
– TVSH e mbledhshme =Vlera e tatueshme (x) shkalla tatimore e TVSH-së (20%)
Vlera e TVSH-së së mbledhshme sipas këtij regjimi nuk shënohet dhe nuk identifikohet veçmas në faturën që agjencia e udhëtimit lëshon për klientin.
Agjencia e udhëtimit nuk ka të drejtë të zbresë TVSH-në e faturuar nga persona të tretë të tatueshëm, për mallrat dhe shërbimet të cilat përdoren në përfitim të drejtpërdrejt të klientit, pra konsumohen direkt nga klienti gjatë udhëtimit dhe janë pjesë e shërbimit të vetëm të agjencisë së udhëtimit. Këto fatura regjistrohen në regjistrin e posaçëm për qëllime të llogaritjes së marzhit dhe deklarohen në librin e blerjes siç përcaktohet në këtë udhëzim.
Agjencia e udhëtimit ka të drejtë të zbresë TVSH-në për shpenzimet e përgjithshme administrative të agjencisë së udhëtimit, furnizime këto që nuk përdoren dhe nuk bëjnë pjesë në furnizimin e shërbimit të vetëm të agjencisë së udhëtimit.
Përfaqësuesi tatimor
Edhe pse në nenin 86 të ligjit personi përgjegjës për të paguar TVSH-në në Shqipëri është personi i tatueshëm që furnizon shërbimin, kur ky person nuk është i regjistruar për TVSH-në në Shqipëri dhe personi që e ka marrë shërbimin është një person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në në Shqipëri, atëherë është marrësi i shërbimit personi përgjegjës për të paguar TVSH-në. Ky person e paguan TVSH-në duke aplikuar auto ngarkesën.
Por, nëse marrësi i këtij shërbimi nuk është një person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në në Shqipëri atëherë personi i tatueshëm që ka kryer shërbimin cakton një përfaqësues tatimor për të paguar TVSH-në në Shqipëri.
Për çdo shërbim të tatueshëm vendi i furnizimit të të cilit përcaktohet të jetë në Shqipëri referuar dispozitave të neneve 23, 24, 25, 26, 27, 28,29 dhe 30 të ligjit, kur furnizuesi i shërbimit është një person që nuk është i regjistruar në Shqipëri.
Ndërsa marrësi i shërbimit është ose një person i pa-tatueshëm në Shqipëri, ose një person që nuk është i regjistruar për TVSH-në në Shqipëri, ose një person i vendosur jashtë Shqipërisë, furnizuesi sipas nenit 87 dhe 88 të ligjit detyrohet të emërojë një përfaqësues tatimor për të paguar TVSH-në në Shqipëri.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.