9 HAPAT PËR FILLIMIN E BIZNESIT DHE LEHTËSITË TATIMORE NË SHQIPËRI, 2024
Si moment paraprak ne ju këshillojmë që të keni në mendje apo të shkruar një plan biznesi, për t’ju qartësuar për` momentet fillestare të hapjes së aktivitetit tuaj. Është e rëndësishme që të bëhet një parashikim i të ardhurave dhe shpenzimeve të biznesit, për të qenë të përgatitur; por edhe për të marrë vendimet në kohën e duhur.
Për të filluar procesin e regjistrimit të një biznesi është e detyrueshme që të hapet një llogari biznesi online tek e-albania, Në rastin kur ju jeni person juridik (shpk, sh.k, Sh.a), regjistrimi i llogarisë së biznesit kryhet nga llogaria personale, ndërsa, nëse ju jeni person fizik, aplikimi kryhet nga llogaria personale e individit.
Logohuni në e-albania me kredencialet personale dhe zgjidhni shërbimin Aplikim për Regjistrim Fillestar. Pasi shtypni opsionin përdor do t’ju dalë një formular i cili kërkon të dhënat e biznesit që doni të hapni. Plotësimi i këtij formulari kërkon të dhënat sipas planit tuaj të biznesit. Këto të dhëna përfshijnë fushën e veprimtarisë së biznesit, adresën e biznesit, të dhënat e administratorit, si: email, telefon, xhiroja, kostot dhe fitimi i parashikuar, nëse do të keni apo jo punëmarrës. Pasi të keni përfunduar mjafton të shtypni butonin dërgo dhe aplikimi juaj ka përfunduar. E-Albania do t’ju japë një numër me të cilin do keni mundësi të ndiqni aplikimin tuaj.
- Hapja e NIPT/NUIS-it dhe llogarisë bankare
Aktivizimi i llogarisë tatimore, nevojitet të kryhet ditën tjetër, pas regjistrimit të biznesit (data e regjistrimit fillestar).
Regjistrimi i llogarisë së tatimeve kryhet te https://efiling.tatime.gov.al/cats_public/Account/LogOn.
Për të krijuar llogarinë tuaj të tatimeve, keni nevojë vetëm për numrin tuaj unik të identifikimit (NUIS ose ndryshe i quajtur NIPT). Fjalëkalimi fillestar që përdoret për të aksesuar llogarinë tuaj është Tatimetemia12. Më pas do ju kërkohet vendosja e një fjalëkalimi të ri. Bëni kujdes që të ruani fjalëkalimin e vendosur, por, edhe nëse ndodh, ju do të keni mundësi të gjeneroni një fjalëkalim të ri, nëpërmjet llogarisë tuaj të biznesit në e-Albania.
Pak ditë pas aplikimit do të dalë përgjigja për aplikimin tuaj. Mjafton ta kërkoni me numrin e dhënë nga e Albania në faqen zyrtare të QKB në rubrikën “Kërko – Kërko në Regjistrin Tregtar- Kërko për statusin e Aplikimit të Subjektit. Kur është aprovuar do të dalë automatikisht NIPT-i i biznesit tuaj.
Për të pasur mundësinë e kryerjes së pagesave në emër të biznesit dhe arkëtimeve të pritshme ndaj biznesit, duhet patjetër të hapet edhe llogaria/të bankare rrjedhëse në emër të biznesit. Ky proces është gjithashtu detyrim ligjor i biznesit/tatimpaguesit, që nevojitet të hapë dhe depozitojë në formë elektronike informacionin e llogarive bankare, brenda jo më shumë se 20 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit fillestar. Dokumentacioni i nevojshëm që kërkojnë bankat në këtë rast është; (i) Ekstrakti Historik i gjeneruar nga e-Albania, (ii) Çertifikatë Regjistrimi (ose NIPT) e gjeneruar po nga e-Albania, (iii) Në rastet e personave juridike Statuti dhe Akti i Themelimit, dhe (iv) Dokumenti i identifikimit të përfaqësuesit ligjor. Ne këshillojmë, edhe përdorimin e shërbimit e-banking, si një mundësi mjaft e mirë dhe praktike për të kryer pagesat në të ardhmen. Ju mund të zgjidhni hapjen e llogarive bankare, në një nga bankat e licensuara të nivelit të dytë në Shqipëri[2]
- Çertifikata e Regjistrimit
Logohuni në e-albania me kredencialet tuaja personale dhe klikoni butonin lart në të djathtë Regjistro një biznes. Futni të dhënat e biznesit tuaj dhe përfundoni aplikimin. Dilni nga faqja juaj personale dhe ri-logohuni me të dhënat që sapo regjistruat të biznesit tuaj. Kërkoni shërbimin Certifikatë Regjistrimi dhe ndiqni hapat e njëpasnjëshëm që jepen në faqen e ealbania. Printojeni Certifikatën e Regjistrimit dhe ekspozojeni në një vend të dukshëm në ambientet e biznesit tuaj.
- Nënshkrimi i një kontrate qeraje në emër të biznesit
Ky hap realizohet duke zgjedhur vendin e ushtrimit të biznesit (zyrën) ku do të jetë selia fizike e biznesit dhe ambjente të tjera pune (prodhimi/shërbimi/tregtimi, nëse ka). Kontrata e qerasë kryhet në një zyrë noteri bashkë me palën qeradhënëse dhe certifikatën e regjistrimit. Nëse ambjentet e zyrës apo punës janë në pronësi të biznesit, atëherë nevojitet të disponohet çertifikata e pronësisë apo kontrata e sipërmarrjes (në mungesë të çertifikatës së pronësisë[3].
- Fiskalizimi
Ky hap kryhet nëpërmjet e-albania[4], ku do të duhet të aplikoni për çertifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit[5]. Mjafton të përzgjidhni shërbimin “Aplikim për çertifikatë elektronike për projektin e fiskalizimit” dhe do të zbatoni hapat e njëpasnjëshëm që tregohen në ekran. Procesi i regjistrimit zgjat deri 3 ditë pune. Agjensia Shtetërore për Fiskalizimin do të dërgojë certifikatën elektronike në emailin që keni regjistruar online. Pas marrjes së çertifikatës do t’ju duhet të kontaktoni me një nga kompanitë e liçensuara për shitjen e programeve informatike, për lëshimin e faturave elektronike[6]. Këto kompani janë të listuara në faqen e tatimeve. Kompanitë që do të kontaktoni do t’ju japin zgjidhjet e duhura për faturimin sipas biznesit që doni të hapni.
Hyni në faqen e tatimeve duke përdorur si kredenciale NIPT-in tuaj dhe password-in Tatimetemia12, vendosni një password të ri. Deklaroni administratorin në rubrikën e/sig 027 dhe bëni një kërkesë për aktivizimin e tatimit në burim që do të duhet t’ja mbani qeradhënësit (në rastin e ambjenteve me qera) dhe ta derdhni në tatime. Kujdesuni që të bëni deklaratat në afatet e përcaktuara ligjore në mënyrë të tillë që të shmangni gjobat. Për këtë hap do të ishte mirë të punësoni një ekonomist ose specialist finance apo fiskal.
- Regjistrimi i pronarit përfitues
Një nga pikat e procedurës së regjistrimit është aplikimi për regjistrimin fillestar të Pronarëve Përfitues.
Vini re! Ky aplikim kryhet vetëm nga personat juridike dhe përjashtohen nga ky detyrim personat fizik.
Për të kryer këtë aplikim nevojitet, (a) Marrja e nënshkrimit elektronik në emër të përfaqësuesit ligjor, nëpërmjet këtij linku. Ndërsa, aplikimi për regjistrin e pronarit/pronarëve përfitues kryhet nëpërmjet këtij linku.
Dokumentacioni i nevojshëm përfshin: Ekstraktin e regjistrimit, Statutin/Aktin e Themelimit, ID të Pronarëve Përfitues, informacion për përqindjen e pronësisë dhe të dhënat e pronarëve përfitues.
- Licencat teknike për aktivitete specifike.
Jo çdo biznes duhet të liçensohet me licenca specifike për aktivitetin, por një pjesë e bizneseve e kanë detyrim ligjor të licensohen. Llojet e liçensave që mund të përkojnë me aktivitetin tuaj dhe informacioni për regjistrimin e tyre e gjeni në këtë link. Nëse ju nuk jeni pajisur paraprakisht me një dokument të tillë, konsiderohet një kundravajtje administrative dhe nuk keni të drejtë të kryeni aktivitetin tuaj. Ju rekomandojmë që procesin e licensimit ta ndiqni duke u konsultuar me bazën ligjore dhe ekspertë të fushës pasi biznese të ndryshme duhet të aplikonë në mënyra e institucione të ndryshme.
- Leja e punës
Në rastin e punësimit të shtetasve të huaj në Shqipëri, nevojitet fillimisht aplikim për marrjen e lejes së punës. Në rastin e shtetasve banues në Bashkimin Europian dhe Kosovë, ligji parashikon ndjekjen e një procedura të thjeshtuar të marrje së Leje së Punës. Në vazhdim, në punonjësi do të vijoj të qëndrojë në Shqipëri, nevojitet të pajisjet me Leje Qëndrimi.
- Taksat vendore
Në momentin e regjistrimit të biznesit, bëheni objekt edhe i taksave vendore, ku afati i pagesës është një muaj pas regjistrimit fillestar. Taksat vendore përmblidhen si emërtime në këtë link, pasi kanë vlera të ndryshme për disa prej tyre në varësi të bashkisë ku është vendodhja e zyrës qendrore të aktivitetit. Taksat dhe tarifat vendore paguhen nga çdo biznes i ri, sipas përkatësisë së llojit të aktivitetit.
Detyrimet tatimore për një biznes
Detyrimet tatimore bazohen te modeli i sistemit tatimor shqiptar[7], i cili përfshin taksat dhe tatimet kombëtare, taksat dhe tarifat vendore, tarifat e doganës për importet e mallrave, si dhe kontributet e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore
Së pari janë detyrimet për taksat dhe tarifat vendore, të cilat paguhen pas konsultimit me një studio këshillimi fiskal.
Së dyti, janë tatimet qendrore, të cilat përfshijnë TVSH për çdo faturë shitje malli/shërbimi[8], tatim fitimin në masën 15% të fitimit[9], tatimet në burim që mbahen për blerjen e shërbimeve nga individë të paregjistruar në zyrën e tatimeve nw maswn 15%[10], tatimi mbi pagën e punonjësve dhe pjesa e kontributit të sigurimeve që paguani ju në rolin e punëdhënësit[11], taksa e akcizës për mallrat e akcizueshme, sipas ligjit specifik.
Së treti janë tarifat doganore, të cilat paguhen në momentin e hyrjes së mallrave në doganë, sipas emërtimit të përcaktuar në Nomeklaturën e Kombinuar të Mallrave, e cila azhornohet çdo vit[12].
Uljet e normave tatimore/Përjashtimet tatimore
- Në lidhje me TVSH janë në fuqi lehtësitë dhe përjashtimet e mëposhtme.
Norma e reduktuar e TVSH-së prej 6% zbatohet për sa vijon:
- Shërbimet e akomodimit.
- Shërbime të certifikuara si ‘agroturizëm’.
- Shërbime reklamimi nga media audio-vizuale.
- Furnizimi me libra.
- Furnizimi i autobusëve me motor elektrik të licencuar për transport publik, me kapacitet 9 ose më shumë persona.
- Norma e reduktuar e TVSH-së prej 10% zbatohet për furnizimin e inputeve bujqësore, përfshirë plehrat kimike, pesticidet, farat dhe fidanët.
Mallra dhe shërbime me vlerësim zero
Mallrat dhe shërbimet e mëposhtme janë subjekt i TVSH-së 0% në Shqipëri:
- Eksportet
- Furnizimi i mallrave të transportuara në bagazhin personal të udhëtarëve.
- Transport ndërkombëtar.
- Furnizimi me ar për Bankën e Shqipërisë.
Mallra dhe shërbime të përjashtuara nga TVSH
Ligji i TVSH-së ofron një listë të furnizimeve që konsiderohen si të përjashtuara nga TVSH-ja:
- Furnizimi i shërbimeve nga shërbimet postare publike dhe furnizimi i mallrave të rastësishëm.
- Kujdesi spitalor dhe mjekësor dhe aktivitetet e lidhura ngushtë.
- Ofrimi i kujdesit mjekësor në ushtrimin e profesioneve mjekësore dhe paramjekësore.
- Furnizimi me organe njerëzore, gjak dhe qumësht.
- Furnizimi i shërbimeve nga teknikë dentarë në kapacitetin e tyre profesional.
- Furnizimi i shërbimeve nga grupe të pavarura personash që ushtrojnë një veprimtari të përjashtuar nga TVSH-ja.
- Furnizimi i shërbimeve dhe i mallrave të lidhura ngushtë me mirëqenien dhe punën e sigurimeve shoqërore.
- Furnizimi i shërbimeve dhe i mallrave të lidhura ngushtë me mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve.
- Sigurimi i arsimit shkollor ose universitar për fëmijët ose të rinjtë.
- Mësimi jepet privatisht nga mësuesit dhe mbulon arsimin shkollor ose universitar.
- Furnizimi me makina bujqësore.
- Furnizimi i shërbimeve veterinare, përveç shërbimeve veterinare për kafshët shtëpiake.
- Furnizimi i automjeteve, vetëm me motorë elektrikë, të rinj, me kilometrazh zero, dhe të pa regjistruara më parë në asnjë shtet tjetër, përveç atyre mallrave që janë të vlerësuar me 6%.
2. Lehtësitë dhe përjashtimet për tatimin mbi të ardhurat [13]
2.1. Lehtësitë dhe përjashtimet për të ardhurat e aktiviteteve janë si më poshtë:
- për personat, të cilët zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm” sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi të ardhurat 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029;
- për entitetet, që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”,
- përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat korporative sipas përcaktimeve të shkronjës “g” të nenit 18 të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar;
- për entitetet, të cilat zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012 “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi të ardhurat në normën 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029;
- për personat juridikë, të regjistruar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e softëare-ve, tatimi mbi fitimin me normën 5% do të zbatohet
- deri më 31 dhjetor 2025;
- për entitetet, të cilat ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive, shkalla e tatimit mbi të ardhurat 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029;
- për:
- individët tregtarë;
- të vetëpunësuarit, si dhe;
- entitetet:
me të ardhura bruto deri 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi fitimin 0% do të aplikohet
deri më 31 dhjetor 2029[14].
2.2. Subjektet e mëposhtme janë të përjashtuara nga Tatimi mbi Fitimin:
- Personat juridikë që kryejnë veprimtari fetare, humanitare, bamirëse, shkencore ose edukative.
- Sindikatat ose dhomat e tregtisë, industrisë ose bujqësisë.
- Organizatat ndërkombëtare, agjencitë për bashkëpunim teknik dhe përfaqësuesit e tyre, përjashtimet tatimore të të cilave përcaktohen me marrëveshje të veçanta.
- Fondacione ose institucione financiare jobankare të krijuara për të mbështetur politikat zhvillimore të qeverisë nëpërmjet aktiviteteve kreditore.
- Studiot e filmit dhe prodhimet kinematografike (ndërmjet llojeve të tjera të subjekteve/veprimtarisë) që licencohen dhe financohen nga Qendra Kombëtare Kinematografike.
- Fondet e pensioneve vullnetare të administruara nga shoqëritë kompetente.
- Strukturat akomoduese që janë ‘hotele dhe resorte me katër dhe pesë yje me status special’ përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat për një periudhë dhjetëvjeçare, me kusht që të marrin status të veçantë deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se tre vjet pas marrjes së statusit të veçantë.
2.3. Të ardhura personale të përjashtuara
Të ardhurat e mëposhtme përjashtohen kur përcaktohen të ardhurat e tatueshme për qëllime TAP:
– te ardhurat e perfituara si rezultat i sigurimit ne skemen e detyrueshme te sigurimeve
shoqerore dhe shendetesore;
– ndihmat ekonomike nga buxhetet publike per individet pa te ardhura ose me te ardhura te
uleta, sipas percaktimeve ne legjislacionin perkates ne fuqi;
– te ardhurat e perjashtuara ne baze te marreveshjeve nderkombetare te ratifikuara nga Kuvendi
i Republikes se Shqiperise;
– kompensimet financiare te paguara per pronaret e pronave si shperblim per shpronesimet e
bera nga shteti per interesa publike, ose ish-pronareve per shpronesimin e prones se tyre ne te
kaluaren;
– kompensimet financiare te paguara ish-te denuarve politike dhe pasardhesve te tyre;
– shperblimet dhe cmimet e dhena nga institucionet shteterore per arritje ne shkence, sport,
kulture;
– bursat e nxenesve dhe te studenteve;
– perfitimet per demshperblime, te marra nepermjet vendimeve te formes se prere te gjykatave,
perfitimet per demshperblimet nga kontrata e sigurimit, te marra ne zbatim te ligjit ne fuqi per
veprimtarine e sigurimit dhe risigurimit, si dhe kompensimet e caktuara per kostot gjyqesore;
– te ardhurat nga mbeshtetja me grante dhe subvencione ne bujqesi dhe blegtori me fonde te
buxhetit te shtetit ose burime te tjera.
[1] https://e-albania.al/dokumenta/qkr/REGJISTRIMI_FILLESTAR_I_PERSONIT_FIZIK.pdf
https://e-albania.al/dokumenta/qkr/MANUALI_PER_NDRYSHIM_PERSON_FIZIK1.pdf
[2] https://www.bankofalbania.org/Mbikeqyrja/Subjekte_te_licencuara/Banka/
[3] Baza ligjore parashikon detyrimin e përdoruesit të pronës, për të mbajtur tatimin në burim në masën 15%, nëse Qiradhënësi nuk është i regjistruar në organet tatimore, dhe arkëton qiranë si një individ i thjeshtë. Gjithashtu ligji ka parashikuar edhe minimumin e tatimit të pagueshëm. Qiraja minimale mujore; vetëm për qëllime tatimore, nuk mund të jetë më e ulët se sa 0.3% e vlerës referencë të pronës. Nëse ju jeni person fizik, dhe përdorni ambientin në pronësi tuaj apo të familjarëve tuaj, ju nuk keni detyrimin për të llogaritur, mbajtur dhe paguar tatimin në burim. Shiko VKM Nr. 469/2015. Nëse ju do të paguani në të ardhmen tatimin në burim, duhet të shtoni në sistemin online edhe përgjegjësinë tatimore të tatimit në burim.
[4] https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=13691
[5] Kostoja e këtij shërbimi paguhet si tarifë vjetore për AKSHI (Agjencia Kombëtare e Teknologjisë së Informacionit) me vlerë 4.000 lekë/vit
[6] në Shqipëri faturat e biznesit lëshohen online, pasi nuk përdoren faturat me letër
[7] https://altax.al/product/permbledhje-per-sistemin-tatimor-ne-shqiperi-2023/
[8] Norma standarte 20%, dhe normat e reduktuara 6% (shih më poshtë te pika 11.)
[9] për profesionet e lira që tejkalojnë xhiron prej 14 milionë lekë/vit, tatimi është në masën 23%
[10] Përveç tatimit mbi dividentin e shpërndarë në masën 8%
[11] Tatim progresiv që fillon nga 13% deri 23%
[12] https://www.dogana.gov.al/dokument/4959/nkm-2024
[13] Ligji 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar
[14] Nuk përfitojnë përjashtim nga tatimi gjithë aktivitetet që përfshine në listën sipas linkut
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.